Shtëpia e viktimes Beqir Morina. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Prokurorja e rastit jep detaje nga vrasja e 48-vjeçarit në Prizren

Prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prizren, Ervehe Gashi, ka ndarë detaje në lidhje me vrasjen e 48-vjeçarit në lagjen “Arbana” në Prizren.

I dyshuari për vrasjen e 48-vjeçarit është Aziz Gashi, i cili pasi dyshohet se e ka kryer vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende është në arrati.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka thënë për KALLXO.com se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një zënke të qastit dhe se viktima fillimisht dyshohet se është goditur më tullë në kokë.

“Nga dëshmia e dëshmitarit okular është kuptuar se viktima dhe i dyshuari kanë pasur një zënkë të qastit, ku fillimisht viktima është goditur me tullë në kokë dhe pas asaj, pas një fjalosje i pandehuri apo i dyshuari për momentin ka shkuar në shtëpinë e tij, të cilën e ka pasur në afër vendit të ngjarjes është pajisur me kallashnikov dhe është kthyer me automjetin e tij dhe ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës” – ka deklaruar prokurorja Gashi.

Prokurorja Gashi më tej ka shtuar se dyshohet se i dyshuari fillimisht ka gjuajtur në drejtim të viktimës nga automjeti i tij

“Një herë ka shtënë nga automjeti pastaj, pasi e ka neutralizuar viktimën direkt në kokë ka shtënë edhe disa herë” – ka vazhduar më tej prokurorja Gashi.

Prokuroria ka sqaruar se në vendin e ngjarjes janë gjetur diku 7-8 gëzhoja.

Prokurorja Gashi ka njoftuar se mbrëmë janë bastisur dy lokacione, në Klinë dhe në Prizren, ku dhe është gjetur një karikator.

“Sot kemi bërë edhe një kontroll në një fshat të Malishevës ku është dyshuar se është fshehur i dyshuari dhe aty kemi gjetur gjëra personake dhe armën që dyshohet se është kryer vepra penale – krimi” – ka deklaruar për KALLXO.com prokurorja e rastit, Ervehe Gashi.

Ajo konfirmuar se janë në kërkim të të dyshuarit.

“Shpresojë se shumë shpejtë do ta lokalizojmë vendin dhe do të arrestohet i dyshuari. Kjo është ajo çfarë mund të deklaroj dhe theksoj. Ne jemi duke i vazhduar veprimet hetimore në drejtim të kapjes së kryesit të veprës penale pasiqë i njëjti tashmë është identifikuar. Në kemi ndërmarr të gjitha veprimet hetimore teknike, hetimore, kriminalistike drejt sigurimit të provave dhe drejt sigurimit të dëshmitarëve” – ka përfunduar prokurorja Gashi.

Ndërkaq, nga Policia kanë raportuar se një zënkë fillimisht dyshohet se ishte nismëtare e vrasjes e cila u regjistrua mbrëmë rreth orës 19:00 në lagjen “Arbana” në Prizren.

Mosmarrëveshja dyshohet se ishte për një pusetë.

“Dyshimet tona edhe zyrtare edhe prej dëshmitarëve janë se ka pasur një mosmarrëveshje për një pusetë kanalizim i ujërave të zeza, aty diskutimi ka mujt me pasu me sulm fizik dhe më pas ka eskalu dhe ka rezultu me vrasje ku si pasojë kemi një viktimë dhe një person të dyshuar i cili është në arrati”- shtoi Alija.

Nga mbrëmë sipas drejtorit Alija janë zhvilluar disa bastisje.

Madje në një lokacion ku dyshohet se ishte strehuar i dyshuari policia sot arriti që te gjej një armë që dyshohet se u përdor në rast.

Shtëpia e te dyshuarit Aziz Gashi tashmë është rrethuar me shirita të policisë dhe qasja në të nuk është e lejuar përveç familjarëve.

Në një deklarim për KALLXO.com drejtori i policisë së rajonit të Prizrenit, Faton Alija ka thënë se viktima Beqir Morina dhe i dyshuari Aziz Gashi dyshohet se kishin pasur një zënkë mes vete e që më pas ky i fundit kishte shtënë me armë zjarri një pushkë automatike në drejtim të viktimës për disa herë.

“Ngjarja ka ndodhur pas një zënke që ka ndodhur aty për aty dhe e gjithë ngjarja është zhvilluar për 12-13 minuta”- tha Alija në një deklaratë për KALLXO.com.

I dyshuari po jetonte vetëm në atë shtëpi ndërsa ishte kthyer nga Belgjika.

Ai ishte i ardhur në këtë lagje nga fshati Sferkë të Komunës së Klinës.