Foto: Ilustrim

Arrestohet biznesmeni, dyshohet se tentoi përmes faturave fiktive të përfitojë rreth 3 milionë euro

Biznesmeni F.P. nga Prizreni, i cili ka në posedim tri biznese, është arrestuar nën dyshimet se ka kryer veprat penale të shmangies nga tatimi dhe prezantimit të dokumenteve të rrejshme tatimore në rastin në të cilin po dyshohet se tentoi të përfitojë nga shteti rreth 3 milionë euro.

Këtë shumë biznesmeni dyshohet se tentoi ta përfitojë duke aplikuar me fatura fiktive në Administratën Tatimore të Kosovës për rimbursim për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH).

I njëjti po dyshohet se kishte siguruar 23 fatura në vlerë prej 18 milionë euro nën arsyetimin se ka ndërtuar një hotel në Prizren e që më pas këto fatura kanë dalë se janë fiktive.

Të dyshuarit e tjerë B.B., dhe B.B., në bazë të njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Prishtinës po dyshohet se kanë kryer veprat penale të shmangies nga tatimi dhe prezantim i dokumenteve të rrejshme lidhur me tatimin.

Ata pretendohet se ishin personat që i kishin ofruar faturat fiktive në vlerë 18 milionë euro biznesmenit F.P.

B.B. dhe B.B. janë në arrati dhe në kërkim të organeve të ndjekjes ndërsa në aksionin që u zhvillua sot pati edhe të arrestuar.

Gjithashtu përveç në hotelin i cili pretendohet se u përdor për këtë rast nga personat e dyshuar, hetuesit kryen bastisje edhe në shtëpinë e biznesmenit nga Prizreni.

Gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M. janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

Të përfshirë në rast si të dyshuar janë edhe 12 zyrtarë të Administratës Tatimore.

Sipas njoftimit, zyrtarët tatimorë të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren, ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit B.B. dhe B.B. ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale – dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin, dhe -shmangie nga tatimi, dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur.

Gjithashtu KALLXO.com mësoi se këta zyrtarë tatimorë kishin pranuar edhe një kërkesë për mosrimbursim të kësaj vlere për shkak se faturat ishin të dyshimta si fiktive.

Por kjo sërish nuk u kishte hyrë në punë zyrtarëve tatimorë të cilët kishin vazhduar punën pa marrë parasysh kërkesën nga një departament brenda ATK-së.

Zyrtarët tatimorë janë me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – mashtrimi në detyrë.

Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore.