Foto: KALLXO.com Ilustrim

Arrestohen shtatë të dyshuar të nacionaliteteve të ndryshme për kontrabandë me emigrantë

Shtatë persona të nacionaliteteve të ndryshme janë arrestuar nën dyshimin se kanë organizuar kontrabandë me emigrantë duke përdorur Kosovën si vend tranzit.

Të arrestuarit janë një palestinez, dy sirianë, një algjerian, dy libanezë dhe një shqiptar.

Policia e Kosovës njofton se nga marsi i këtij viti Departamenti i Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit kanë zhvilluar hetime ku janë aplikuar edhe masat e fshehta-teknike të hetimit ndaj disa personave nën dyshimin se janë të përfshirë në veprimtari penale ‘kontrabanda me emigrantë’.

“Mbrëmë, më 19.06.2023, disa nga të dyshuarit të cilët ishin duke u hetuar nga Departamenti i Kufirit, janë përfshirë në një rast në Prishtinë. Pas kësaj, prokurori i PTh-Prizren, në koordinim me gjykatësin e procedurës paraprake, kanë lëshuar urdhër verbal për kontrolle në katër lokacione dy në Fushë Kosovë dhe dy në Mitrovicë” – thuhet në komunikatën e policisë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatit dhe përkthyesit ligjor dhe më pas, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.