Foto: Ilustrim

Arrestohen për mashtrim një shtetas i Serbisë dhe një i Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar se kanë regjistruar firma fiktive të biznesit pa ndonjë aktivitet afarist me qëllim “mashtrimi”.

Duke marrë parasysh hapësirën e shtrirjes së aktivitetit të dyshuar, në rajonin e Mitrovicës, Prishtinës dhe Gjilanit, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, rajoni i Gjilanit dhe rajoni i Mitrovicës Jugu, është realizuar arrestimi i dy personave të dyshuar.

Personat e dyshuar, të arrestuar janë, S.D., i lindur më 1982, shtetas i Serbisë dhe S.S., i lindur më 1967, shtetas i Kosovës.

Ndërsa, si prova materiale janë konfiskuar 13 telefona – Samsung Galaxy A80 dhe një automjet.

Me vendim të prokurorit kompetent dy personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.