Policia, ilustrim Foto: Pixabay

Arrestimi i kryeshefit të KRU 'Gjakova', për çka po kërkohej nga INTERPOL-i

Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, i cili është arrestuar nga autoritetet në Bullgari më 19.02.2024, dyshohet për kontrabandim me të mitur, mëson KALLXO.com. 

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.comn Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MJPD) më 01.03.2024.

MPJD-ja theksoi se Krasniqi “supozohet” të jetë i kërkuar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL.

KALLXO.com mëson se ndaj Krasniqit ekzsistonte një urdhërarrest ndërkombëtar nga Italia për kontrabandë me të mitur. 

Sipas informacioneve të cilat posedon KALLXO.com, Krasniqi dyshohet se kishte kryer organizim të kundërligjshëm, konkretisht kontrabandë me të mitur. 

Informacione e siguruara nga KALLXO.com tregojnë, se Krasniqi ishte prezantuar si shoqërues i rrejshëm dhe në komplot me persona të tjerë, kishte organizuar dhe kryer kontrabandë me të mitur. 

Kjo pasi që i njëjti dyshohet se me qëllim të hyrjes ilegale në Itali dyshohet se kishte simuluar pjesëmarrjen e të njëjtëve nëpër disa turne sportive, me qëllim të përfitimit të vizës Schengen për qëllime sportive. 

Krasniqi dyshohet se kishte deklaruar se ishte edhe si kujdestar i të miturve. 

Të miturit sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, menjëherë pasi kishin hyrë brenda territorit të Italisë, kishin shkuar në zyra të ndryshme të policisë italiane duke deklaruar se ata ishin të braktisur, ndërsa me këtë kishin synuar përfitimin e procedurave për lëshimin e leje qendrimeve “për të mitur”. 

Informacionet tregojnë se të miturit kishin deklaruar rrejshëm edhe arsyen e marrjes së vizave për kinse gara sportive. 

Në anën tjetër, kontaktuar nga KALLXO.com, INTERPOL-i nuk ka ndarë informata për këtë rast.

“Ju lutem të keni parasysh se Organizata nuk komenton raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet kombëtare relevante” – janë përgjigjur nga INTERPOL më 01.03.2024.

Disa media kanë raportuar më 01.03.2024, se Krasniqi është arrestuar në Bullgari, pasi që kishte një urdhërarrest ndërkombëtar.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Bullgarisë dhe Policinë italiane dhe është në pritje të përgjigjeve.

Kurse, zëdhënësja e KRU Gjakova, Dafina Syla, në një përgjigje për KALLXO.com më 01.03.2024, ka thënë se kompania nuk ka asnjë informatë për arrestimin e kryeshefit të saj.

“Ne si kompani nuk kemi asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë çështje” – ka thënë Syla shkurtimisht, duke thënë se “vetëm kaq mund të deklarohem”.

Hasan Krasniqi në janar të vitit 2022 u pat zgjedhur kryeshef i KRU Gjakova.

Në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për asamblenë e Gjakovës nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).