I akuzuari për vasjen e Marigona Osmanit, Arbër Sejdiu para gjykatës, 6 korrik 2023

Arbër Sejdiu rrëfen në gjykatë versionin e tij se si e dërguan në spital Marigona Osmanin

I akuzuari Arbër Sejdiu ka dhënë mbrojtjen e tij në gjykatë të enjten, kundrejt akuzave për vrasjen e Marigona Osmanit.

Ai ka rrëfyer pikëpamjen e tij rreth ditës kritike ku i njëjti bashkë me të akuzuarin tjetër, Dardan Krivaçën dyshohen se kanë privuar nga jeta në mënyrë mizore viktimën 18-vjeçare.

Sipas Sejdiut, në ditën kritike ai ndërkohë që ishte ne banesën e Krivaçës kishte parë të njëjtin duke i dhënë ndihmën e parë Marigona Osmanit, por që e njëjta sipas tij, ka qenë në gjendje të rëndë.

“I jepte frymë prej gojës, më duket ndihmën e parë, ajo qitke gjak, zi ka qitë, dhe i kam thënë (Dardanit) veshe e ço në spital” – tha Sejdiu

Në pyetjen e mbrojtëses së tij, avokates Arbnora Shefkiu, se a ka ndërrmarë ndonjë veprim për të goditur Osmanin me shkop, i njëjti u përgjigj se “absolutikisht jo!”

Lidhur me atë ngjarje ai pretendon se qëllimi i vetëm i tij ka qenë që të shpëtojë Marigonën.

“Unë në atë moment kom mendu veç qysh me çu çikën në spital e me pshtu…nuk e di a ka qenë gjallë apo e vdekur, por dëshira ime ka qenë me pshtu atë çikë, sytë i ka pas qelë” – shtoi ai.

Sipas tij, ngjarja nga banesa e deri në spital ku të ndjerën e kishin braktisur, ka rrjedhë në vijim.

“Kam dalë e kam thirrë liftin, e kom pytë Dardanin a don me t’ndihmu me e mbajt Marigonën, ka thënë se e mban vet….kemi shku tek spitali, unë kom vrapu drejt spitalit në shpejtësi të madhe, kam hy në spital dhe i kam thënë një motre se është një vajzë në gjendje të shumë të keqe… kur kam dalë e kom pa Dardanin e rrëzuar dhe të ndjerën e ka pasur përmbi, i kish hupë forca me e çu Marigonën nalt… i kam largu njerëzit e tjerë, e kam kap Marigonën nga këmbët kurse ai prej durave dhe e kena çu në spital”.

Sipas tij, në ditën kur ka ndodhur ngjarja ata e kishin dërguar në spital tani më të ndjerën, kurse për vdekjen e saj kishin marrë vesh në lajme.

“Unë kom mendu që shpëton, tani në lajme e kena pa që ka ndërru jetë” u shpreh ai.

Gjatë dhënies së mbrojtës së tij, Arbër Sejdiu deklaroi se ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike dhe atë të kokainës.

“Unë n’kokainë jam shumë në paranojë, lëvizi pa kontroll dhe lëvizi tepër shumë, kom pi mbidoze të kokainës” – u përgjigj ai në pyetjen e avokates së tij.

Lidhur me deklaratën që ai e kishte dhënë në polici, i njëjti deklaroi se nuk i qëndron prapa kësaj deklarate.

Arsyeja sipas tij, është se edhe aty kishte qenë nën ndikimin e narkotikëve.

Sipas tij, disa ditë para ngjarjes ka qenë me Krivaçën si dhe një djalë tjetër dhe kanë konsumuar substanca narkotike, kryesisht të llojit mariuhanë.

“Kom shku 3-4 ditë pa ndodhur rasti, i kom dërgu rrobat me i la, kena pi edhe drogë aty” … “jena kon tre vetë, kena pi drogë, kena pi bari shumë”.

Përkundër Sejdiut, i bashkëakuzuari Krivaça deklaroi se do të shfrytëzoj të drejtën të mbrohet në heshtje.

Ai tha se do të mbrohet në heshtje.

I akuzuari për vasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça para gjykatës, 6 korrik 2023

“Nuk jam në gjendje me i spjegu, nuk jam në gjendje me u deklaru për çështjet që kanë ndodhur andaj edhe do të mbrohem në heshtje” –  u shpreh ai para trupit gjykues.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu kanë dalë sot sërish para Gjykatës së Ferizajit për tu përballur me akuzat për vrasjen e dhunimin e Marigona Osmanit.

Gjykimi ndaj të akuzurave për vrasjen e 18-vjeçares që tronditi vendin në 22 gusht të vitit 2021, akoma nuk ka arritur një verdikt final nga organet e drejtësisë.

Në seancën e fundit të 1 qershorit është bërë administrimi i provave materiale, ndër të cilat ishin video-incizimet e banesës së të akuzuarit Krivaça.

Me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarve si dhe palës së dëmtuar, gjykata këtë seancë e kishte mbyllur për publikun.

Shkak i kësaj ishte përmbajtja e ndjeshme të incizimeve në fjalë.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.”

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.