Arben Vitia pretendon se një kompani që mori pjesë në tenderin e insulinave ka falsifikuar dokumente

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se njëra nga kompanitë private që ka marrë pjesë në tenderin e insulinave, dyshohet se ka falsifikuar dokumente.

Në një konferencë për media të mbajtur bashkë me sekretarin Naim Bardiqi, ministri Vitia ka thënë se dje me 12 qershor është njoftuar zyrtarisht se kompania ‘Pharma Leader’ asnjëherë nuk ka pasur leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë.

“As nga prodhuesi amerikan ‘Elilily’ e as nga kompania në Maqedoni që pretendon. E kemi pyetur zyrtarisht kompaninë ‘Pharma Trade’, nga të cilët kemi pranuar përgjigje se dëshmia e ofruar nga kompania kosovare nuk është valide” – ka thënë Vitia para gazetarëve.

“Me qëllim të konfirmimit të rregullsisë së dëshmisë, Ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar përmes shkresave elektronike me “Farma Trade” me seli në Maqedoninë e Veriut. Nga ana e Zv/Drejtorit Gjeneral të “Fharma Trade” kemi pranuar përgjigjen përmes postës elektronike, me shkrim, se dëshmia e ofruar nga “Pharma Leader” nuk është valide dhe se ata nuk kanë ofruar një dëshmi të tillë” – tha Vitia.

Tutje, ai ka thënë se kompaninë maqedonase e ka pyetur se edhe prodhuesi i insulinave, a është në dijeni për këtë, sipas Vitisë, përgjigja ka qenë se as prodhuesi nuk është në dijeni të një shkrese të tillë që kompania në Kosovë e ka prezantuar.

“Me këto dokumente të prezantuara janë marrë vendime në OSHP, Gjykatë e janë bërë hetime në Prokurorinë Speciale e atë Themelore” – tha ai.

Ministri Vitia shtoi se operatori ekonomik “Pharma Leader”, dyshohet se ka ofruar dokument të falsifikuar gjë që konsiderohet vepër penale.

“Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 390, është e përcaktuar vepra penale, Falsifikimi i dokumenteve: Kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet”.

Sipas Vitisë, kompania në fjalë nuk ka aplikuar për Autorizim Marketingu, pasi sipas tij, sepse nuk ka mundur e nuk ka pasur leje nga prodhuesi amerikan.

Ministri Vitia ka thënë se këto prova që i ka marrë dhe dokumentet, i ka dorëzuar në Policinë e Kosovës sot, e pret që të fillojnë hetimet.

Ndërsa sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se aktualisht ministria ka në stok insulina edhe për rreth 1 muaj e gjysmë, por sipas tij, është në procedurë tenderi emergjent, nëse përfundimisht dështon tenderi aktual që ka mbetur i bllokuar.

Drejtuesi i shëndetësisë tha se tani po bëhet e qartë se pse kompania në fjalë nuk ka dashur të aplikojë për AM, “sepse nuk kanë mundur, sepse nuk kanë pasur lejen nga prodhuesi amerikan”.

Ai ngriti edhe një dilemë, se nga do t’i merrnin insulinat kur nuk kanë pasur leje për t’i marrë ato amerikane.

“Produkte fallco? Kontrabantë apo çfarë? Kjo duhet kuptuar dhe sqaruar sa më parë” – pyeti Vitia.

Vitia bëri thirrje te të gjitha kompanitë farmaceutike që të pajisen me Autorizim Marketingu.

Bardiqi: Një kompani më ka ofruar para për të nënshkruar tenderin për insulina