Bardiqi: Një kompani më ka ofruar para për të nënshkruar tenderin për insulina

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se një kompani private i ka ofruar para për të nënshkruar tenderin për insulina.

Në pyetjen e gazetares Jeta Xharra se ‘a ju ka ofruar dikush pare për këtë tender?’, Bardiqi ka thënë se indirekt njëra nga kompanitë që ka marrë pjesë në tender i ka ofruar para për të nënshkruar kontratën.

“Për këtë tender, po indirekt, operatori ekonomik që më ka bërë kallëzimin penal ka çu njerëz për me dhënë ryshfet në mënyrë që sekretari ta nënshkruajë këtë lëndë. Për ‘Pharma Leaderin’. I kam emrat dhe mbiemrat e individëve të cilëve, edhe ata i kanë emrat se kush u ka thënë” – ka thënë Bardiqi.

Tutje, sekretari ka thënë se është ndjerë në presion edhe nga prokuroria e nga operatorët ekonomikë në përgjithësi.

“Patjetër që jam ndi në presion prej prokurorisë, unë i kam pa si thashetheme. Për që është iniciuar kallëzimi penal nga operatorët ekonomikë, këtë edhe e kam besu. Mirëpo  mandej edhe inicimi i mëvonshëm ose edhe aktivizimi i Prokurorisë Speciale, kjo më ka befasuar pak. Jo asnjëherë (nuk më ka marrë në pyetje), asnjëra Prokurori” – tha Bardiqi.

“Ta zëmë e ke operatorin ekonomik kur krejt kohën të thotë se je ka e shkel ligjin për përfitime personale. Është njëfar presioni. Në anën tjetër e ke një përfaqësim diplomatik dhe të shkrun notë verbale dhe thotë se ju nuk po respektoni kriteret ligjore në procedurat e prokurimit”.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e kompanisë Pharma Leader, Qendrim Arifaj, që Bardiqi pretendon se i kanë ofruar para në mënyrë indirekte.

Arifaj e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se kompania që ai përfaqëson nuk e ka bërë asnjëherë një gjë të tillë.

“Po të kishte qenë e vërtetë se ne jemi munduar që t’i ofrojmë ryshfet Sekretarit, me të drejtë mund të shtrohet pyetja a do të ishte i bllokuar ky aktivitet i prokurimit tani e tri vite?Dhënia e ryshfetit është vepër penale,andaj në rast se do të ishte e vërtet një gjë e tillë, Sekretari do të duhej që këtë çështje ta paraqiste para prokurorisë kompetente menjëherë” – ka thënë Arifaj.

“Ndërsa për shpifjet, që ju na njoftuat që janë bërë, pasi të emitohet emisioni, Pharma Leader, do të ndjek rrugët ligjore për dëmtim të imazhit”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kohë që janë duke u ‘ballafaquar’ në lidhje me tenderin për insulina.

Ministria kërkon që ta anulojë në tërësi këtë tender, ndërsa OSHP-ja konsideron se dy kompanitë që kanë aplikuar në këtë tender janë të përgjegjshme dhe rrjedhimisht kërkon nga Ministria që për anulimin e tenderit të repsketojë procedurat e Ligjit të Prokurimit.

Tenderi është i bllokuar që nga dhjetori i vitit 2020.

SHËNIM* Përgjigja e plotë e kompanisë ‘Pharma Leader’: Asnjëherë dhe në asnjë rast, kompania “Pharma Leader”, as nuk ka tentuar të diskutoj në ketë drejtim me asnjë person, qoftë ai zyrtar institucional apo jo. E madje, aq me pak një njeriu i cili me veprimet e veta, ka ngritur dyshime se po favorizon të tjerët në ketë proces. Po të kishte qenë e vërtetë se Ne jemi munduar që t’i ofrojmë ryshfet Sekretarit, me të drejtë mund të shtrohet pyetja a do të ishte i bllokuar ky aktivitet i prokurimit tani e tri vite?

 Dhënia e ryshfetit është vepër penale e sanksionuar me nenin 422 të Kodi Nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës, andaj në rast se do të ishte e vërtet një gjë e tillë, Sekretari do të duhej që këtë çështje ta paraqiste para prokurorisë kompetente menjëherë. Moslajmërimi i kësaj çështje pranë prokurorisë kompetente përbën vepër penale e cila sanksionohet me nenin 377 të Kodit Penal, për çka besoj se prokuroria, duhet të veproj dhe ta hetoj ketë rast.

Kompani “Pharma Leader”, gjatë gjithë procesit të deritanishëm të tenderimit, ka qenë shumë transparente. Përveç dokumentacionit të kërkuar në dosje të tenderit, asnjë njeri e asnjë dokument apo asgjë tjetër nuk ka dërguar as tek Sekretari, e as të askush në MSh, apo gjetiu. Asnjë përpjekje në rrugë jo ligjore dhe jo zyrtare, nuk ka qenë asnjëherë nga kompania “Pharma Leader” për të përfituar tenderin në fjalë, apo çfarëdo procesi tjetër. Pharma Leader ka qenë është dhe do të jetë e përkushtuar në respektimin e rrugëve ligjore për të fituar këtë kontratë si dhe kontrata tjera në të ardhmen.

 Në lidhje me tenderin “Furnizim me Insulina Analoge nga Lista Esenciale”, për shkeljet ligjore të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në krye me Sekretarin, Ne i jemi drejtuar Prokurorisë kompetente me anë të ushtrimit të Kallëzimit Penal. Kemi ushtruar Kallëzim Penal, sepse jemi të bindur në të drejtën tonë. Të tjerët nuk po kanë guximin për “fjalët” që thonë, të kërkojnë hetim nga prokuroria.

 Përkundër ushtrimit të presionit të shumë anshëm nga, një medie të afërt me Sekretarin, deputetëve të subjektit politik që i takon Ministri, deklaratave të pamatura të Ministrit z. Vitia, institucioni i pavarur OSHP, i ka aprovuar disa herë ankesat e “Pharma Leader” të ushtruara ndaj vendimeve të kundërligjshme dhe të njëanshme të Ministrisë së Shëndetësisë e të dirigjuara nga Sekretari.

 Pharma Leader në këtë projekt nuk ka qenë dhe nuk është kompania e preferuar e Sekretarit dhe Ministrit. Kjo vërtetohet lehtë. Shikoni kontratat një burimore të nënshkruar përmes procedurës së negociuar me kompaninë konkurrente!!!

 Në lidhje me këtë tender, problemi esencial nuk është mungesa e AM (autorizim marketingut), por është prishja e monopolit disa vjeçar nga vetëm një kompani me këtë lloj insuline. Këtë fakt Në debatin e zhvilluar pranë kallxo.com, e ka vërtetuar përfaqësuesi i kompanisë “Meditech”, avokati Fisnik Salihu, i cili publikisht e ka pranuar që Institucionet shëndetësore kanë pasur tender të nënshkruar me kompaninë “Meditech”, pa posedimin e AM e sipas UA 02/2014, në vlerë prej rreth 2,000,000.00 €. Pra, kur është fjala për të tjerët, veprohet sipas udhëzimit administrativ 02/2014 për thjeshtëzimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Republikën e Kosovës, ndërsa për “Pharma Leader” nuk vlen ky standard ligjor. Këtu vërehet qartë veprimi me dy standarde nga zyrtarët e Ministrisë!

 Andaj në lidhje me këtë situatë të krijuar, Sekretari duhet të sqarojë se:

Pse me kompaninë “Meditech” kanë lidhur kontratë pa posedimin e AM, ndërsa me “Pharma Leader”, jo?

Pse i ka dhënë shërbimet e prokurimit UNOPS-it në kundërshtim me nenin 24 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke i shkaktuar dëm Buxhetit?

Pse e ka shfuqizuar brenda një dite Udhëzimin Administrativ 02/2014 për thjeshtëzimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Republikën e Kosovës, duke e zëvendësuar me Udhëzimin Administrativ 01/2022 për thjeshtëzimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Republikën e Kosovës. Paradoksi, me 20.10.2022 është emëruar komisioni për plotësim/ndryshim të UA,  ndërsa ne datën 21.10.2022 është publikuar në gazetën zyrtare udhëzimi? Nuk janë respektuar procedurat ligjore për miratimin e akteve nen-ligjore as për afatet e as për mënyrën dhe konsultimet publike.

Pse janë duke ushtruar presion ndaj OSHP-së, për të vendosur sipas dëshirës së tyre?

 Për fund dua ta theksoj edhe një herë, se kompania “Pharma Leader”, i plotëson në tërësi kriteret e përcaktuar në dosjen e tenderit “Furnizim me Insulina Analoge nga Lista Esenciale”. Këtë fakt jemi të gatshëm në çdo moment dhe në çdo kohë ta provojmë para çdo organi hetues apo çdo institucioni tjetër.

 Ndërsa për shpifjet, që Ju na njoftuat që janë bërë, pasi të emitohet emisioni, “Pharma Leader”, do të ndjek rrugët ligjore për dëmtim të imazhit.