Gjykatore - foto KALLXO.com

Anulohet seanca gjyqësore ndaj ish-kryesuesit të bordit të drejtorëve në trafikun Urban, Ruhan Beha

Është anuluar seanca gjyqësore ndaj ish kryesuesit të drejtorëve të Trafikut Urban, Ruhan Beha, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. I njëjti akuzohet se kishte kërkuar punësimin e bashkëshortes së tij në këtë institucion e cila ishte vetëm në cilësinë e praktikantes.

Anulimi i seancës erdhi si shkak i mungesës së prokurores Bukurie Gjonbalaj, e cila paraprakisht kishte njoftuar gjykatën përmes emalit se e njëjta gjendet në pushim vjetor.

Këtë për kallxo.com e ka konfirmuar vetë gjyqtarja e rastit Fatime Dërmaku.

Përndryshe në seancën e fundit e cila ishte mbajtur në maj të këtij viti, ishin dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga prokuroria, e ku në fazën e administrimit të provave materiale, prokurorja ishte deklaruar se nuk është përgatitur për këtë fazë.

Ajo nga gjyqtarja e rastit kishte kërkuar që seanca të shtyhej për një ditë tjetër.

Këtë propozim e kishte kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarit, avokati Flakron Sylejmani. Kundërshtim të cilin gjyakta nuk e kishte aprovuar.

Prokuroria e Prishtinës e akuzon Ruhan Behën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës Beha akuzohet se gjatë vitit 2019 në cilësinë e kryesuesit të Drejtorëve të Trafikut Urban në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar nga i kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje L. R. që të punësojë bashkëshorten e tij e cila në këtë ndërmarrje ishte praktikante.

Ai akuzohet se i ka bërë në mënyrë verbale si dhe përmes sms-ve në “WhatsApp”.

Dosja e prokurorisë thotë se Beha fillimisht ka kërkuar dhe kanosur L. R. për hapjen e konkursit për zyrtarë të IT-së e pas shpalljes së këtij konkursi kërkoi punësimin e bashkëshortes së tij.

Këtë konkurs në aktakuzë thuhet se L. R. e kishte anuluar dhe si shkak i kësaj Beha kishte filluar procedurën e shkakrimit të tij si dhe e kishte kërcënuar se do ta rrahë.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK