Dosja ndaj kryesuesit të Bordit të 'Trafkut Urban', akuzohet se tentoi ta punësonte gruan

Ruhan Beha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është ballafaquar me rrëfimet e tre dëshmitarëve në seancën e sotme kundër tij.

Beha akuzohet se gjatë vitit 2019 në cilësinë e kryesuesit të bordit drejtorëve të ndërmarrjes “Trafiku Urban” në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje Lulzim Rexhepaj që t`ia punësojë bashkëshorten e tij, e cila në këtë ndërmarrje ishte praktikante.

Beha akuzohet se këto kërkesa i ka bërë në mënyrë verbale si dhe përmes mesazheve në “Whatsapp”.

Dosja e Prokurorisë thotë se Beha fillimisht ka kërkuar dhe kanosur Lulzim Rexhepajn për hapjen e konkursit për zyrtar të IT-së e pas shpalljes së këtij konkursi kërkoi punësimin e bashkëshortes së tij.

Në aktakuzë thuhet se këtë konkurs Lulzim Rexhepaj e kishte anuluar dhe për shkak të kësaj Ruhan Beha kishte filluar procedurën e shkarkimit të Rexhepajt si dhe e kishte kërcënuar se do ta rrahë.

Gjatë seancës së sotme kanë dhënë dëshminë e tyre tre prej katër dëshmitarëve të propozuar nga ana e Prokurorisë, të cilët ishin planifikuar të dëgjoheshin.

Dëshmitarët u shprehën se ishin në dijeni sipas fjalëve atë kohë që gruaja e Behës ishte praktikante në ndërmarrje.

Në kohën kur po dyshohet se është shpallur konkursi për IT gjatë vitit 2019, në këtë ndërmarrje dëshmitarët kanë qenë pjesë e Bordit të Ndërmarrjes ‘Trafiku Urban’.

Sipas tyre ndërmarrja ka pasur nevojë për zyrtarë të IT-së atë kohë.

Ata potencuan se Bordi i ndërmarrjes është marrë me rekrutimin e pozitave të larta dhe jo atyre të ulëta, përfshirë edhe praktikantët.

Kryesuesi i Bordit të Auditimit Genc Broqi, deklaroi se nuk i kujtohet nëse dosja e Lendita Behës i është nënshtruar audimit, dhe lidhur me shpalljen e konkursit për IT është njoftuar pasi është hapur konkursi.

Sekretari i Ndërmarrjes Florent Latifaj u shpreh se nga i akuzuari Beha, ka marrë kërkesë për përpilimin e një draft-vendimi për shkarkim të Kryeshefit ekzekutiv, Lulzim Rexhepaj.

Ky vendim nuk ka përmbajtur emër të cilit i drejtohet, as pozitë dhe as arsyet. Sipas Sekretarit, ai ka pasur vetëm bazën ligjore përmes të cilit shkarkohen zyrtarët e lartë në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Sipas anëtarëve të Bordit, në mbledhjet e bordit të ndërmarrjes  nuk ishte diskutuar asnjëherë shkarkimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj.

“Lajmërimin për anulimin e konkursit e kishte dhënë përmes telefonit, duke përmendur presionin nga Ruhan Beha, por pa shpjeguar arsye” – u shpreh kryesuesi i bordit të audimit.

Zyra e auditimit sipas dëshmitarit asnjëherë nuk ka konstatuar se përzgjedhja e gruas së të akuzuarit si praktikante përbënte shkelje.

Sipas dëshmitarëve raportet mes të akuzuarit Beha dhe Kryeshefit Lulzim Rexhepaj kanë qenë korrekte dhe normale deri para hapjes së konkursit.

Dëshmitarët u shprehen se nuk kanë pasur dijeni nëse i akuzuari ka ushtruar presion për punësimin e gruas së tij.

Trupi Gjykues me përbërje Fatime Dërmaku – kryetare, Gazmend Bahtiri dhe Kushtrim Shyti – anëtarë, morën aktvendim që të lexohet deklarata e dëshmitares Violeta Hyseni, për shkak që e njëjta nuk ishte prezente në seance për shkaqe shëndetësore.

E njëjta kishte deklaruar në polici më 21 janar të vitit 2020 se vetëm ka dëgjuar se gruaja e Ruhanit kishte qenë praktikante. Kurse personalisht e kishte konsideruar si të drejtë vendimin e kryeshefit për anulimin e konkursit. Sipas saj do të ishte konflikt interesi, punësimi i bashkëfamljarëve.

Prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj propozoi shtyrjen e seancës, për faktin që nuk ishte e përgatitur për fazën e administrimit të provave. Këtë propozim e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarit, avokati Flakron Sylejmani.

Propozimi i prokurores u miratua me aktvendim nga trupi gjykues, duke caktuar seancën e ardhshme për 29 qershor ora 09:00.

Prokuroria e Prishtinës e akuzon Ruhan Behën për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Beha akuzohet se gjatë vitit 2019 në cilësinë e kryesuesit të drejtorëve të ndërmarrjes “Trafiku Urban” në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje Lulzim Rexhepaj që t`ia punësojë bashkëshorten e tij, e cila në këtë ndërmarrje ishte praktikante.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK