Anulohen dy çmimet e ndara në manifestimin “Flaka e Janarit”

Dy çmimet e ndara të Manifestimin “Flaka e Janarit” janë anuluar pasi është verifikuar se dy shkrimet kanë qenë të publikuara më parë duke zhvlerësuar anonimitetin.

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, projektues dhe organizues i pjesës letrare të Manifestimit Kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit” 2021”, kanë konstatuar se poezia “Baladë” e Rozafa Shpuzës e cila ishte shpërblyer me çmimin e dytë dhe tregimi i shpërblyer me çmimin e tretë “Pallati i Sorrave” i Bajramali Selimit, kanë qenë të publikuara më parë.

Sipas tyre poezia e Shpuzës ishte publikuar më parë në portalin Obseverkult ndërsa e Selimit në portalin A News 24.

“Shihet qartë se publikimi paraprak i këtyre dy krijimeve e zhvlerëson anonimitetin e tyre dhe bie ndesh me kriteret e Konkursit anonim letrar, të bëra publike që nga 9 dhjetori i vitit 2020 e deri më 9 janar 2021, në faqen zyrtare të komunës së Gjilanit, në disa portale gjithashtu po edhe përmes rrjeteve sociale nga anëtarët e Ars Clubit “Beqir Musliu”, kritere këto që kanë qenë fuqi tash e tridhjetë vjet”, shkruan në njoftim.

“Flaka e Janarit” është festival multikulturor, i cili fillon më 11 janar në Gjilan me ndezjen e  flakadanit. Ky festival vazhdon me orë letrare, shfaqje dhe koncerte që prekin artin skenik, pamor, muzikor dhe letrar deri me 31 janar.

Festivali mbahet si në shenjë respekti për atdhetarin dhe shkrimtarin Jusuf Gërvalla, bashkë me Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën.