Anulimi i vendimit për autostradën, reagon Ramush Haradinaj

Sot, në mbledhjen e pestë të Qeverisë së Kosovës, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, u anulua një vendim i ekzekutivit të kaluar për vazhdimin e një kontrate ndaj Bechtel-Enka-s.

Siç kishte njoftuar ministri Abdixhiku, vendimet për të dhënë miliona pa bazë, ka kaluar.

“Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar”, kishte thënë Abdixhiku.

Por, ndaj këtij vendimi të sotëm të Qeverisë Kurti ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai e ka quajtur vendimin e ekzekutivit kosovar një mashtrim “të radhës”.

“Sot duke manipuluar me shifra dhe duke trumpetuar për anulimin e kinse 50 milionëve për Bechtel Enka-n, Qeveria Kurti u mundua që të mashtrojë qytetarët se shpëtoi buxhetin. Për hirë të korrektësisë dhe me misionin që të tregohet e vërteta, sot Qeveria e Mashtrimit anuloi një vendim autorizim për Ministrinë e linjës që të negociojë për kyqjet në Ferizaj dhe Viti. Në vendimin e Qeverisë që unë kam drejtuar nuk ceket shuma”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Qytetarë të nderuar Qeveria e Mashtrimit nuk anuloi 50 milion por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyqjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me Autostradēn Arbën Xhaferi. Qeveria e Mashtrimit u mundua që të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim”, thuhet në fund të reagimit të ish-shefit të Qeverisë së kaluar.

Hulumtimi i KALLXO.com, Qeveria pritet ta anulojë vendimin e Haradinajt që i siguronte 32 milionë euro për Bechtel&Enka

www.kallxo.com