Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anëtarët e mbetur të KShC-së kërkojnë funksionalizimin e bordit

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka mbajtur sot një takim me katër anëtarët e bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, pas dorëheqjeve të 5 anëtarëve të tjerë të këtij bordi.

Në kuadër të këtij takimi, AKA ka njoftuar institucionet e arsimit të lartë se pavarësisht kësaj procesi i vlerësimit të akreditimit institucional dhe të programeve akademike do të vazhdojë.

“Dorëheqjet e fundit nga KShC-ja, në fazën aktuale, nuk kanë ndikim të mbarëvajtjen e punëve të Agjencisë së Akreditim”, është bërë e ditur në këtë mbledhje.

AKA dhe anëtarët e KShC-së, Dukagjin Zeka, Arta Jakupi, Rozafa Koliqi dhe Binak Beqaj thanë se shpresojnë që institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë do të funksionalizojnë punën e këtij bordi.

“AKA shpreson që institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, konform kornizës ligjore do të kontribuojnë në plotësimin e vendeve të parapara për anëtarë ndërkombëtar të KSHC-së, me çka do të kthehet funksionaliteti i plotë i KShC-së”, është thënë në këtë takim.

Tutje AKA dhe anëtarët e KShC-së kanë falënderuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare si dhe shoqërinë civile për përkrahjen e vazhdueshme.

KALLXO.com ka marrë pjesë në këtë takim konsultiv në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit më Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

KALLXO.com dje raportoi se kryetari, nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kanë dhënë dorëheqje nga ky bord.

Siç kishte marrë vesh KALLXO.com, anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje pasi nuk kanë pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion, kurse anëtarët vendorë për arsye të tjera.

Dorëheqjen e anëtarëve vendor, organizata ORCA e cilësuar si të panevojshme, kurse ka theksuar se respekton dorëheqjet e anëtarëve ndërkombëtarë për mos deklarim të pasurisë, por sipas tyre ligjet duhen respektuar për të gjithë njëjtë.

ORCA: Dorëheqja e anëtarëve të KShC-së, e pritshme por e panevojshme në këtë kohë

.