Raporti i Progresit thotë se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka zbatuar rekomandimet e ENQA-s

Në Raportin e Progresit për Kosovën është thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka zbatuar rekomandimet e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

“Pas përjashtimit nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA) ka zbatuar rekomandimet që kanë të bëjnë me pavarësinë institucionale dhe financiare, si dhe rritjen e numrit të stafit” – thuhet në Raport.

Gjithashtu, në Raportin e Komisionit Evropian thuhet se Agjencia Kosovare e Akreditimit vazhdoi përpjekjet për të rifituar anëtarësimin në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë.

Ndërsa, përmes një njoftimi AKA është shprehur se Agjencia e Akreditimit e çmon pjesën e Raportit të Komisionit Evropian në pjesën ku flitet për punën e AKA-së dhe e konsideron si motivues për stafin për të vazhduar më me përkushtim punën për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) më 3 tetor 2022 është bërë pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) me statusin anëtar “affiliate”.

Në vitin 2018, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga EQAR, për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj Agjencie që ishte bërë me kërkesë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kjo organizatë kishte konsideruar se AKA ka humbur mundësinë të veprojë si e pavarur pas asaj ndërhyrjeje politike.

Pas kësaj, më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë së Kosovës për Akreditim i ishte degraduar statusi brenda ENQA-s nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Por, më 2 tetor të vitit 2019, ENQA përfundimisht e përjashtoi AKA-në.