Ambasadori i Kroacisë në Finlandë: Sot është ditëlindja e Adem Jasharit, një prej themeluesve të UÇK-së

Ambasadori i Kroacisë në Finlandë, Josip Buleviq, në një postim në profilin e tij në rrjetin “X”, ka shkruar se sot është ditëlindja e Adem Jasharit, sipas tij, njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ambasadori kroat ka thënë se do ta kujtojmë Adem Jasharin me respekt të madh.

“Adem Jashari, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka lindur në këtë ditë të vitit 1955. Hero dhe martir. Do ta kujtojmë përgjithmonë, me respekt të madh” – ka shkruar ambasadori në profilin e tij, të cilin e ka shoqëruar me një fotografi të komandantit legjendar Adem Jashari.

Në vitin 2016, Josip Buleviq kishte vizituar kompleksin memorial në Prekaz dhe kishte vendosur kurorë me lule te varri i komandantit legjendar, Adem Jashari.