Kurti: Adem Jashari është emri i njeriut me të cilin mund t’i referohemi lirisë sonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për nder të Epopesë së UÇK-së ka thënë se në historinë e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, komandanti Adem Jashari ka një hise shumë të madhe.

Adem Jashari, sipas tij, është emri i përveçëm i njeriut me të cilin mund t’i referohemi lirisë.

“Në këtë histori të çlirimit dhe shtetndërtimit Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe, që në të vërtetë është hisja më e madhe që mund të ketë një njeri në historinë e vendit dhe kombit të tij. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese- lirinë e tij individuale e bashkoj me lirinë e popullit të tij gjatë gjithë jetës deri në rënien heroike. Nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri atëherë Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilin ne mund t’i referohemi lirisë sonë”- u shpreh Kurti.

Ai ka thënë se Epopeja e UÇK-së, përmbledh një trashëgimi të madhe politike, kulturore dhe kombëtare mbi të cilën ka ardhur liria e Kosovës dhe është ndërtuar shteti.

“Sot në Republikën e Kosovës liria për të cilën kishte luftuar deri në vdekje Adem Jashari është bërë paradigma bazë e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne”- ka thënë Kurti.

Fjalimin e tij Kurti e përmbylli duke thënë “Lavdi dhe mirënjohje e thellë e pafund Adem Jasharit, familjes Jashari, UÇK-së dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.