Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman: Sulmi terrorist nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde thekson se sulmi terrorist i së dielës nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit menjëherë.

Kështu ka deklaruar Rohde pas takimit që zhvilluan emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Francës, Emmanuel Bonne, të Gjermanisë, Jens Plotner, të Italisë, Francesco Talo si dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist i së dielës kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit menjëherë”- ka shkruar ambasadori gjerman në platformën X.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Ndërkaq të hënën Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona janë arrestuar sonte në një hotel afër fshatit Banjskë të Zveçanit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës Drejtoria Mitrovicë-Veri, Veton Elshani, për KALLXO.com ka bërë të ditur se do të hetohet nëse kanë lidhje me sulmet e djeshme ndaj Policisë së Kosovës.

Zhvillimet në veri: Policia po ndjekë rrugët nga u arratisën të dyshuarit