Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman për marrëveshjet ndërkombëtare: Opozita t’i japë fund bllokadës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është shqetësues mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, janë në rrezik projekte të mëdha energjetike dhe bujqësore, mes Gjemanisë dhe Kosovës.

Për këtë çështje, ai ka thënë se opozita duhet t’i japë fund bllokadës.

“Të shqetësuar për mosmiratimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend që mund të sjellin miliona përfitime për qytetarët e Kosovës. Janë në rrezik projekte të mëdha energjetike dhe bujqësore, Gjermani – Kosovë . Duhet një qasje konstruktive nga të gjithë akterët, opozita duhet t’i japë fund bllokadës”- ka shkruar ai në “X”, ish Twitter.

 

Ndërsa, ka theksuar se “LDK nuk është pjesë e sjelljeve penguese të opozitës që përmenda”.

Tash e sa kohë, PDK e AAK po refuzojnë të votojnë për disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë investimesh mbi 300 milionë euro, ndërkohë që Qeveria ka bërë përpjekje në Kuvend për të siguruar votën për ratifikimin e tyre.

Shefat e grupeve parlamentare të këtyre dy partive deklaruan sot se nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me këtë çështje.

PDK e AAK nuk ndryshojnë qëndrim lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare

Tash e sa kohë, ekzekutivi ka bërë përpjekje në Kuvend për të siguruar votën pro për disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë investimesh mbi 300 milionë euro që po presin votimin dhe shqyrtimin nga ligjvënësit kosovarë.

Qeveria Kurti ka shumicën në Parlament për të miratuar ligjet që kalojnë me shumicë të thjeshtë, pasi ai drejton një kabinet të mbështetur nga 64 deputetë, përfshirë grupin multietnik.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votimi është kushtëzuar me shpallje të zgjedhjeve të reja dhe shpërbërje të Kuvendit. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do mbështesë marrëveshjet, përveç njërës -Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

Kuvendi para një episodi të ri në serinë për marrëveshjet ndërkombëtare