Një ushtar amerikan i NATO-s në Kosovë. FOTO: Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Ambasada amerikane në Kosovë: Para 24 viteve shumë kosovarë mundën të kthehen në shtëpi falë NATO-s

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë ka kujtuar çlirimin e Kosovës që ndodhi 24 vite më parë.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada ka theksuar rolin e trupave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në çlirimin e Kosovës.

“Sot, 24 vjet më parë, shumë kosovarë mundën të kthehen në shtëpi, falë NATO-s, e cila solli paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon”- ka thënë Ambasada amerikane.

Tutje në këtë postim është theksuar rëndësia e paqes për një të ardhme demokratike në Kosovë.

“Sot, më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë rëndësinë e ruajtjes së paqes për një të ardhme demokratike dhe prosperuese të Kosovës”-është thënë në njoftimin e Ambasadës.

Ndërkaq, sot kjo ditë është kujtuar edhe nga krerët e shtetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë organizuar pritje shtetërore për nder të përvjetorit të 24  të çlirimit të Kosovës mirëpo ky organizim u mbajt pa praninë e ambasadorit të SHBA-së dhe ambasadorëve të shteteve të tjera të QUINT-it në Kosovë.

Më 12 qershor 2023 shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimit etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.