Aliu: Në të gjithë vendin janë mbi 300 mijë ndërtime pa leje

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se vendimi për plotësim-ndryshimin e Ligjit për ndërtime pa leje i miratuar sot në kabinetin qeveritar do t’ia japë mundësinë qytetarëve që t’i legalizojnë ndërtimet.

Aliu në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, tha që pronarët që nuk i kanë të legalizuara objektet e tyre duhet të aplikojnë për legalizim sepse sipas tij procedura është shumë e thjeshtë.

“Në regjistrimet e ndërtimeve pa leje në vend, figurojnë 352 mijë e 836 ndërime pa leje në të gjithë vendin. Vetëm komuna e Prishtinës i ka mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Mbi 3/4 e ndërtimeve janë pa leje. Jemi në përgatitet finale të planit hapësinor të Kosovës. Banimi kolektiv është kryesisht ilegal. Banorët që i kanë ble ato banesa nuk mund ti regjistroj në kadastër” – tha ai.

“Ky ligj është mundësi e mirë që këto ndërtime të legalizohen. Tek ndërtimet individuale të gjithë pronarët mund të vijnë ta bëjnë legalizimin. Është e rëndësishme që të bëjnë thirrje për pronarët e aseteve që i kanë të palegalizuara të aplikojnë për legalizim. Janë vetëm katër formularë për plotësim” – shtoi ai.

Sot qeveria bëri plotësim-ndryshimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Në Kosovë është në fuqi ligji i vitit 2018 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Qëllimi i këtij ligji është krijimi i procedurave të thjeshtëzuara për ta mundësuar legalizimin dhe për të ndihmuar qytetarët që të realizojnë përfitime nga ndërtimet e tyre, ofrimi i shërbimeve përmes një zyreje të vetme shërbyese për legalizim dhe regjistrim të ndërtesave dhe pjesëve të ndërtesave në Kadastër, dhe regjistrimin e pronarit të ndërtimit pa leje dhe pjesëve të ndërtesave në Regjistrin e të Drejtave në Pronë të Paluajtshme si dhe identifikimi i ndërtimeve pa leje në mënyrë që komunave t’u mundësohet planifikimi dhe ofrimi më i mirë i shërbimeve për banorët në territorin e tyre.