Madeleine Albright. Foto: Facebook

Albright falënderon Kosovën për gatishmërinë për të strehuar emigrantë afganë

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka falënderuar Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kanadanë për gatishmërinë për të strehuar emigrantë afganë, jeta e të cilëve mund të jetë në rrezik pas marrjes së kontrollit në shumicën e provincave afgane nga talebanët.

Albright këtë e ka thënë përmes një postimi në profilin e saj në Twitter, derisa ka thënë se duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan.

“SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që shtetet e tjera të ndjekin veprimet e tyre”, tha ajo më tej.

Sot, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se ka dhënë pëlqimin e saj për strehimin e përkohshëm të emigrantëve afganë në Kosovë pas kërkesës së presidentit të Shteteve të Bashkura të Amerikës, Joe Biden.

Ndërkaq sot, kryeministri shqiptar Edi Rama ka konfirmuar se Shqipëria do të strehojë qindra emigrantë politikë afganë.

Militantët talibanë kanë hyrë brenda Kabulit dhe kanë kërkuar dorëzimin e qeverisë qendrore, teksa afganët dhe qytetarët e huaj po tentojnë që të largohen nga Kabuli.

Presidenti i Afganistanit, Ashtraf Ghani është larguar nga vendi.

Talibanët kanë bërë përparim të shpejtë gjatë javëve të fundit, duke marr nën kontroll pjesë të mëdha të territorit teksa forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja, po tërhiqen nga Afganistani.