Vajzat afgane arrestohen dhe fshikullohen nga talebanët për shkelje të rregullave për hixhabin

Vajzat deri në moshën 16-vjeçare janë arrestuar në gjithë kryeqytetin afgan, Kabul, javën e kaluar për shkelje të rregullave të talebanëve për hixhabin.

Vajzat – të cilat u ndaluan në qendra tregtare, klasa dhe tregje rrugore – u akuzuan për “përhapje dhe inkurajim të të tjerëve për veshjen e hixhab në mënyrë jo të duhur” dhe për vendosjen e grimit.

Që nga marrja e pushtetit në Afganistan në gusht të vitit 2021, talebanët e kanë kufizuar më tej qasjen e grave në arsim, punësim dhe hapësira publike. Në maj të vitit 2022, ata dekretuan një ligj që gratë duhet të mbulohen nga koka te këmbët, duke zbuluar vetëm sytë.

Lale*, 16 vjeçare, thotë se u arrestua nga talebanët së bashku me një numër vajzash të tjera në klasën e saj të gjuhës angleze dhe u fut në një kamion policie. Sipas saj, vajzat që u përballën me burrat dhe nuk pranuan të shkonin, ishin rrahur, ndërsa ajo ishte goditur në këmbë. Babai i saj më vonë u rrah keq për “rritje të vajzave imorale”.

“Veshja ime ishte modeste dhe madje përfshinte një maskë për fytyrën – një masë paraprake që e kisha marrë që nga pushtimi i talebanëve”- thotë Lale. “Por ata më rrahën gjithsesi, duke këmbëngulur se veshja ime ishte e papërshtatshme”.

Lale, e cila u mbajt në paraburgim për dy ditë e netë, tha se talebanët i mallkuan vajzat vazhdimisht si të pafe, për studimin e anglishtes dhe për aspiratat e tyre për të shkuar jashtë Afganistanit.

Ajo u lirua pasi pleqtë e komunitetit ndërhynë dhe ajo nënshkroi një dokument që zotohej të mos largohej nga shtëpia e saj pa mbulimin e detyrueshëm të kokës. Asaj i është ndaluar edhe ndjekja e orëve të anglishtes.

“Më ndaluan nga shkolla kur talebanët morën pushtetin në vitin 2021, dhe tani nuk mund të shkoj as në klasat e mia private”- thotë ajo. “Nuk mund të imagjinoj më asgjë për të ardhmen time përveçse të qëndroj në shtëpi dhe të martohem”.

 “E pashë me sytë e mi sa keq u rrah babai im sepse shkova në kurs [Anglisht]. Kur pashë fotot e tij pasi u ktheva në shtëpi, u tremba aq shumë sa mendova se do ta humbisja. Nuk kam motiv për të studiuar pas kësaj. Nuk e dua më këtë përvojë”.

Arrestimet ndodhën më pak se një javë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkoi nga një i dërguar i posaçëm që të angazhohej me talebanët, veçanërisht mbi të drejtat gjinore dhe të grave. Talebanët e hodhën poshtë këtë propozim, megjithatë, duke pretenduar se do ta ndërlikonte situatën duke imponuar zgjidhje të jashtme.

Fereshta Abbasi, studiuese në organizatën Human Rights Watch me bazë në Nju Jork, thotë se “Arrestimet e grave në Afganistan janë një goditje e mëtejshme ndaj të drejtave themelore të grave dhe mund të jenë frikësuese dhe të ushtrojnë më shumë presion edhe mbi gratë që janë ende duke punuar në sektorët e shëndetësisë, arsimit fillor dhe të ushqyerit dhe nuk do të shfaqeshin në publik si dikur”.

Videot dhe fotografitë e ndara me The Guardian nga një aktiviste tjetër femër afgane, e cila kërkoi të mos zbulojë identitetin e saj, tregoi disa burra dhe gra që demonstrojnë në zonën Dasht-e-Barchi të Kabulit, me pankarta duke i ftuar njerëzit për një “jetë të bukur” duke e “promovuar dhe respektuar hixhabin e duhur”.

Aktivistja, i cila ishte dëshmitare e demonstratave, shpjegoi se këto ishin familje të të burgosurve që kërkonin lirimin e grave dhe kishin si qëllim të parandalonin arrestime të mëtejshme në komunitetin e tyre./The Guardian

* Emri është ndryshuar për ta mbrojtur identitetin e saj

Përgatiti: Nuhi Shala