Albin Kurti dënon sulmin "banditesk" ndaj djalit të Nenad Rashiqit

Nenad Rashiq, në një intervistë ekskluzive në KALLXO Pernime ka treguar se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiçë.

Nikolla Rashiq është rrahur nga rreth 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.

Rreth kësaj ka reaguar kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se ky është një krim “ banditesk” ndaj Nikolla Rashiqit që ka të bëjë më prindin e tij që nuk u nënshtrua ndaj kërcënimev të Serbisë.

“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”, ka shkruar Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti duke i uruar shërim të plotë e të shpejtë.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë.

Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën.

Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurtë.

Kërkoj që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë, ndërkaq Nikollës i uroj shërim të plotë e të shpejtë.

Shoqërohen në Polici 8 të dyshuar për rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit