
Ilustrim
Shoqërohen në Polici 8 të dyshuar për rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit
8 persona të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në rrahjen e djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq, janë shoqëruar në Polici.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka treguar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur sot rreth orës 12:00, në afërsi të shkollës në Llapnasellë.
“Me të marrë informatën njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet se një person i gjinisë mashkullore, ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i mitur)”, ka bërë të ditur Borovci.
Borovci ka shtuar se Policia e Kosovës aktualisht po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë këtë ngjarje.
KALLXO.com raportoi më herët se Nenad Rashiq, në një intervistë ekskluzive në “KALLXO Pernime” ka treguar se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiç.
Nikolla Rashiq ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku sipas babait të tij i janë thyer dhëmbët.