Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrahet djali i Nenad Rashiqit në Graçanicë

Djali i politikanit të njohur serb të Kosovës, Nenad Rashiqit, është rrahur sot gjatë ditës derisa ai po dilte nga shkolla.

Nikolla Rashiq, djali i Nenad Rashiqit, është rrahur nga rreth 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.

Nenad Rashiq, në një intervistë ekskluzive në KALLXO Pernime ka treguar se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiç.

Nikolla Rashiq ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku sipas babait të tij i janë thyer dhëmbët.

Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës dhe deri më tani ende nuk ka të arrestuar.

Sonte në ora 22:10, në Facebook të KALLXO.com dhe në RTV Dukagjini mund ta ndiqni ekskluzivisht intervistën me Nenad Rashiq, i cili rrëfen për presionet, kërcënimet që rezultuan me rrahjen e djalit të tij.

“Djali tani është në shtëpi. Nesër do t’i vazhdojmë kontrollet e mëtutjeshme. Pas përfundimit të shkollës, ka qenë një grup rreth 30 persona, që përveç boksave të hekurt, ata kanë pasur edhe çekiçë e thika. Unë kam pranuar që duhet ta paguaj çmimin e ideologjisë që kam, por me të vërtetë unë nuk kam pritur që djali im duhet ta pagujanë çmimin kaq jornomal”, tha Rashiqi në “KALLXO Pernime”.

Sonte në 22:10 në KALLXO.com dhe në RTV Dukagjini, përveç intervistës ekskluzive me Nenad Rashiqin, mund ta ndiqni edhe debatin me përfaqësuesit e partive minoritare në Kosovë, të cilët kanë denoncuar Listën Serbe për manipulim të vullnetit të votuesve, “duke i përkahur partitë satelite” të pakicave të tjera.