Akuzohet se i fshehu mbi 5 mijë euro, por nuk ndjehet fajtor

Miroslav Ivanoviq ish gjykatës i Gjykatës së Apelit, ka thënë se është i pafajshëm, kundruall akuzës së prokurorisë e cila e ngarkon atë me veprën e mosdeklarimit të pasurisë.

“Nuk e ndjej vetën fajtor për kryerjen e kësaj vepre penale”, tha ai, në seancën e sotme gjyqësore.

Prokuroria po e ngarkon Ivanoviqin për mos deklarimin e pasurisë në vlerë prej 5,325.22 eurove.

Pasi që i pandehuri nuk e pranoi fajësinë atij iu dha afat që brenda 30 ditëve të paraqesë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Ivanoviq akuzohet se duke qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit dega në Mitrovicë në vitin 2018 nuk ka raportuar saktë pasurinë pasi në formularin mbi deklarimin e pasurisë, kishte deklaruar vetëm 22 mijë e 400 euro ndërsa sipas Ministrisë së Financave, pasuria e të akuzuarit në atë periudhë është dashur të jetë 27 mijë e 725 euro e 22 cent.

Kallzmin penal ndaj Ivanoviqit e kishte paraqitur Agjencia Kundër Korrupsionit me 20 shkurt 2020.