Dështon seanca ndaj ish gjykatësit të Apelit për mos deklarim të pasurisë

Ka dështuar mbajtja e seancës ndaj të akuzuarit Miroslav Ivanoviç ish gjykatës në Gjykatën e Apelit dega në Mitrovicë, për shkak se lënda nuk i ishte ndarë për punë asnjë prokurori, pasi prokurori i mëparshëm, ka kaluar me angazhim në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Andaj në seancën e sotme nuk prezantoi asnjë prokuror dhe si rrjedhojë u caktua seanca e radhës për datën 25 tetor.

Ivanoviç po akuzohet nga Prokuroria se në vitin 2018 nuk kishte deklaruar shumën prej 5 mijë e 325 euro e 22 cent.

Sipas aktakuzës, Ivanoviç akuzohet se duke qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit dega në Mitrovicë në vitin 2018 nuk ka raportuar saktë pasurinë pasi në formularin mbi deklarimin e pasurisë, kishte deklaruar vetëm 22 mijë e 400 euro ndërsa sipas Ministrisë së Financave, pasuria e të akuzuarit në atë periudhë është dashur të jetë 27 mijë e 725 euro e 22 cent.

Kallzmin penal ndaj Ivanoviçit e kishte paraqitur Agjencia Kundër Korrupsionit me 20 shkurt 2020.