Gjykimi i Albrim Ponikut - Foto: KALLXO.com

Akuzohet se e njoftoi punëtorin e marketit se po shkonin për inspektim në kohën e pandemisë, Prokuroria kërkon dënimin e ish-inspektorit

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar dënimin e ish-zyrtarit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Albrim Poniku, i cili po ngarkohet me veprën penale – keqpërdorimi i informatës zyrtare.

Poniku po gjykohet për pretendimin se në cilësinë e inspektorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në kohën e pandemisë së COVID-19 e ka njoftuar punëtorin e një marketi se po shkonin për inspektim.

Prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi, ka deklaruar sot se pas dëgjimit të dëshmitarëve si dhe nga analizimi i provave është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv.

“I pandehuri në kohën kur është kryer vepra penale ka pasur cilësinë e personit zyrtar dhe ka pasur të inspektojë bizneset në kohën e pandemisë dhe në momentin kritik së bashku me Policinë e Kosovës ka pasur një plan operativ për bizneset se a janë duke punuar apo jo”-ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se nga raporti AFK-së është vërtetuar se është dërguar mesazhi nga i akuzuari tek dëshmitari.

“Nga mesazhet të cilat janë nxjerrë nga telefoni i dëshmitarit B.B., dhe raporti i AFK-së është vërtetuar se është dërguar një mesazh përmes rrjetit social ‘viber’ tek dëshmitari i lartcekur. Kjo është vërtetuar edhe nga dëshmitari B.B., si në deklaratat e dhëna në Polici edhe para trupit gjykues”- tha ajo.

Sa i përket deklaratës së të pandehurit që në momentin kritik ka pasur për të shkuar pas orarit të punës te shtëpia e tij për të pirë kafe, Prokuroria nuk ia ka falur besimin për arsye se me këtë kërkon ta zvogëlojë përgjegjësinë penale.

“Koha nuk ka qenë e përshtatshme për të shkuar si dhe masat e Qeverisë që kanë ndaluar qarkullimin e qytetarëve, pra ka qenë në fuqi ora policore e ndalimit”- tha mes tjerash prokurorja Gashi.

Prokurorja Gashi ka kërkuar që i pandehuri Poniku të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet edhe dënimi plotësues duke përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik si dhe të merret parasysh udhëzimi i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Prokurorja e rastit po ashtu ka cekur që si rrethana rënduese të merret fakti se vepra penale ka rrezikshmëri të madhe shoqërore, fakti se vepra penale është kryer në kohën e pandemisë dhe se është rrezikuar jeta e qytetarëve, fakti se vepra penale është kryer nga ana e zyrtarit, fakti se me sjellje të tilla zbehet besimi i qytetarëve në institucionet publike dhe fakti që pozita që i akuzuari ka ushtruar kërkon veprime dhe sjellje korrekte.

Në anën tjetër,  Sylejman Klinaku avokat i të akuzuarit në fjalën përfundimtare ka sqaruar se nga provat dhe dëshmitë është vërtetuar së i akuzuari Poniku dëshmitarin B.B. e ka pasur mik shtëpie dhe me anë të mesazhit kanë komunikuar për të pirë kafe.

Avokati Klinaku ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë duke thënë se marketi ishte gjobitur nga i akuzuari Poniku dhe nëse ai do të kishte qëllim për ta informuar dhe për të përfituar nuk do ta kishte gjobitur.

Avokati Klinaku gjithashtu ka thënë se mesazhi në fjalë është dërguar  jashtë datës 3 shtator 2021.

Ndërkaq, i akuzuari ka mbështetur fjalën e avokatit dhe ka shtuar se e ndjen veten të pafajshëm dhe ka kërkuar që të lirohet nga akuza.

Paraprakisht, në shqyrtimin e së martës është bërë edhe leximi i provave si kontrata e shërbimit për furnizim me ushqim dhe pije e dorëzuar nga dëshmitari dhe provat- komunikimet me shkrim nga i akuzuari me zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Shpallja e aktgjykimit u caktua për më 14 korrik 2023.

Sipas aktakuzës, Albrim Poniku më 3 shtator 2021 në cilësi të personit zyrtar e keqpërdor informatën zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë ndonjë përparësi që nuk i takon,

Sipas Prokurorisë, Poniku në cilësi të inspektorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në momentin kur kupton se janë duke shkuar të bëjnë inspektimin e marketit dhe qebaptores, e cila gjendet në afërsi të fshatit Vlashne, në lidhje me respektimin e orareve të punës në situatë të pandemisë COVID-19 të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, njofton punëtorin e këtij marketi, informatë në të cilën ka pasur qasje si rezultat i detyrës së inspektorit, sepse informata nuk ka qenë publike.

Tutje, në akuzë thuhet se i akuzuari nga telefoni i tij i dërgon B.B., punëtor në market, një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast marketi përfiton përparësi për të mos u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i informatës zyrtare.