Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, Foto: KALLXO.com

Aktakuzë për terrorizëm ndaj 'Llune'-s e ish-policit Pantiq për sulmin ndaj Zyrës së KKZ në Mitrovicë të Veriut

Millun Millenkoviq i njohur si Llune, Dejan Pantiq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë katër tashmë të akuzuarit nga Prokuroria Speciale për sulmin terrorist të datës 6 dhjetor ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të veriut.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzën ndaj katër tashmë të pandehurve për veprën penale kryerje e veprës terroriste.

Sipas njoftimit, në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me datë 6 dhjetor të vitit 2022, të pandehurit me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, kanë sulmuar me granata dore dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së KKZ-së.

“Për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer  sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’ rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me këto incidente që ishin shënuar në atë kohë në veri të vendit.

Njëri nga mjetet shpërthyese, granatë, KALLXO.com kishte raportuar në atë kohë se ishte marrë në kontrollë e më pas ishte shpërthyer nga ekipet e KFOR-it dhe të trajtimit të mjeteve eksplozive.

Në prill të këtij viti KALLXO.com pati raportuar se zyra nuk ishte funksionalizuar as në atë kohë, gati pesë muaj pas sulmit.

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor e cila gjendet në Mitrovicën Veriore ishte jashtë funksionit që nga data 6 dhjetor të vitit 2022. Kjo si pasojë e sulmit me mjete shpërthyese që u bë drejtë këtij objekti në ditën kur KQZ kishte dërguar të përzgjedhurit, zyrtarët e lartë për të nisur punën në këtë zyrë.

E gjitha kishte nisur kur fillimisht ishin përcaktuar datat e zgjedhjeve që do mbaheshin në katër komunat me shumicë serbe pas dorëheqjeve që u dhanë atje nga kryetarët e asamblistët.

Dorëheqjet pasuan pas suspendimit të ish-drejtorit të policisë në veri Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit kishte refuzuar që të vepronte në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe regjistrimin me targa RKS.

Ky suspendim shkaktoi tensione që pasuan për ditë me radhë.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor pati thënë në një intervistë të dhënë për KALLXO.com, se nuk kishin arritur që të kishin një vlerësim të dëmit që ishte shkaktuar pas sulmit me mjete shpërthyese drejtë zyrës së KKZ-së në Mitrovicën Veriore.

Dyshimet se mbrapa sulmit të zyrës së KKZ-së qëndron ish-polici Dejan Pantiq

Dejan Pantiq, një pjesëtar i MUP-it i integruar në Policinë e Kosovës ishte arrestuar në pikën kufitare Jarinje nën dyshimet se kishte gisht në sulmin ndaj zyrës së KKZ- së në veri të Mitrovicës.

Pantiq sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor.

Pas arrestimit të Pantiq reagimet ishin të shumta. Tensionet u ngritën sa që menjëherë filloi edhe barrikadimi i rrugëve të pjesës së veriut të Mitrovicës.

Qëllimi ishte që Pantiq të mos lejohej të transferohej për të mbajtur masën e paraburgimit të cilit iu caktua nga Gjykata.

Barrikadat qëndruan nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor.

Gjatë kësaj periudhe pati incidente të shumta. Policia e Kosovës konfirmoi se mbrapa barrikadave qëndrojnë grupe kriminale të armatosura.

Në anën tjetër, policia ishte sulmuar disa herë, një zyrtar policor ishte plagosur, njësi policore ishin sulmuar rrugëve, madje incidente u shënuan edhe me gazetarë.

Gjashtë ekipe të gazetarëve ishin sulmuar në veri të Mitrovicës, një nga ta edhe një ekip i KALLXO.com.

Këta të fundit ishin sulmuar në Lagjen e Boshnjakëve, më saktësisht te shkolla teknike nga persona të maskuar të cilët qëndronin në rrugë gjatë gjithë kohës.

Akuzat ndaj Millun Millenkoviqit

Millun Millenkoviq i njohur si Llune vazhdon të ketë masën e sigurisë atë të paraburgimit nën dyshimet për veprën penale të sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it ngjarje kjo e cila u shënua më 29 maj.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua më 13 qershor nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij krijoi një situatë të tensionuar, ku një grup i qytetarëve serb u mblodhën pranë vendit ku ai po arrestohej, një lokal floktarësh, me qëllim që të kundërshtoheshin veprimet policore të NJSI-së që po ndërmerreshin.

Aksioni i arrestimit të Llune, që sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës i bandave kriminale, të lënduar la tre zyrtarë policor.

Njëri nga këta polic u lëndua gjatë kohës sa i dyshuari Millenkoviq po arrestohej, e dy të tjerë pas operacionit policor nga turma e personave që u mblodhën.

Përpos policëve, gjatë vënies nën pranga të Llunes, i cili i tentoi t’i shmangej arrestimit të tij, u lëndua edhe ky i fundit. E raporti policor tregon se edhe të dyshuarit edhe policëve të lënduar iu është dhënë tretmani i nevojshëm mjekësor.

Pas veprimeve policore të ndërmarra nga NJSI, një turmë e personave që tentuan të kundërshtojnë këto veprime sulmuan edhe ekipe të tjera të PK-së.

Me gurë e mjete të forta të dyshuarit, që në mesin e tyre kishte edhe persona të maskuar që penguan edhe punën e gazetarëve, gjuajtën në drejtim të policëve.

Tri vetura zyrtare të PK-së u thyen, e nga i gjithë aksioni u lënduan gjithsej tre policë.

Situata bëri që forcat policore të shtoheshin në lagjen e boshnjakëve. Mjete të rënda, autoblinda e edhe Topi i Ujit që shërben për shpërndarjen e turmës blinduan këtë lagje të Mitrovicës së Veriut.

Aty erdhi edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e lëvizje të vazhdueshme kishte edhe nga ekipet e EULEX e edhe ekipe të karabinierit.

Lagjja e boshnjakëve mbeti e blinduar për një kohë, deri kur ekipet e policisë vendosën të largoheshin për të vazhduar me angazhimet e tjera me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, pasi vlerësimit operacionale që patën për situatën e krijuar në terren.

Llune gjithashtu në bazë të një raporti zyrtar të Ministrisë së punëve të Jashtme për sulmin terrorist në Banjskë, që ka siguruar KALLXO.com përshkruhet si një nga drejtuesit e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe zëvendëskomandant i organizatës tjetër të shpallur terroriste “Brigada e Veriut”.

Në dokument “Llune” përshkruhet si një nga drejtuesit e organizatës “Mbrojtja Civile”.

Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës organizatën “Mbrojtja Civile” dhe atë “Brigada e Veriut” i shpalli si terroriste.

Raporti i MPJ-së: “Llune” një nga drejtuesit e “Mbrojtes Civile” dhe zëvendëskomandant i “Brigadës së Veriut”