Aktakuzë ndaj gjashtë personave të cilëve iu gjetën 20 kallashnikovë

S.S, E.Xh, Sh.H, Sh.J, S.H dhe M.L janë gjashtë personat e akuzuar nga Prokuroria Speciale për grup të organizuar kriminal pasi iu gjetën 20 kallashnikovë dhe prova tjera materiale pas bastisjes nga Policia e Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të akuzuarve janë gjetur 20 armë të tipit kallashnikovë dhe të njëjtat janë sekuestruar në mesin e provave të tjera të gjetura.

Sipas komunikatës, të lartcekurit janë marrë vesh paraprakisht që të furnizohen, transportojnë e shesin armë dhe municion të llojeve të ndryshme në mënyrë të paautorizuar.

Këto veprime Prokuroria Speciale i ka kualifikuar me veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” të sanksionuara me Kodin Penal të Kosovës.

Në mars të këtij viti Prokuroria Speciale dhe Policia kanë zhvilluar një aksion rezultat i së cilit ka qenë arrestimi i pesë të dyshuarve dhe sekuestrimi i 20 armëve të tipit kallashnikov. S. S., S. S., E. Xh., Sh. D. dhe Sh. J janë inicialet e tyre.