Gjykimi per fajde

Aktakuza për përfitim të 78 mijë e 200 eurove në emër të fajdesë, të akuzuarit me vendim të Gjykatës i ndërprehet paraburgimi

Gjykata e Prizrenit e ka liruar nga paraburgimi të akuzuarin për fajde, Beqir Hoxha.

Sipas Prokurorisë, Hoxha, duke përdorur situatën e vështirë financiare të të dëmtuarit dhe prindit të tij, pasi i duheshin të holla për të investuar në biznesin familjar, akuzohet se ka përfituar 78 mijë e 200 euro në emër të fajdesë.

Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se të akuzuarit i është ndërprerë paraburgimi.

Avokati Valdet Hoxha të premten ka kërkuar ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe ka propozuar lirmin e tij. Ndërkaq, prokurori Petrit Kryeziu ka kundërshtuar kërkesën për ndërprerjen e paraburgimit, duke theksuar se duhet të vazhdohet me këtë masë.

Vendimi për ndërprerjen e paraburgimit është marr nga gjykatësi Artan Sejrani.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të rënda, më datë 6 nëntor 2023, konform dispozitave të procedurës penale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Beqir Hoxha sepse nga muaji qershor 2016 deri më datë 22 gusht 2023, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F. S., dhe prindit të tij tani i ndjerë.

Në Dosjen e Prokurorisë theksohet se pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për të investuar në biznesin individual familjar – zdrukthtari, fillimisht babai i të dëmtuarit në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri Beqir Hoxha, shumën e të hollave në vlerë prej 6,000 euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji qershor 2016 e deri në muajin prill të vitit 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, vazhdon të paguajë nga 600 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49 mijë e 200 euro (49,200).

I gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, i dëmtuari më 18 shkurt 2018,  merr nga i pandehuri shumën e të hollave prej 3 mijë euro ndërsa nga i njëjti në muajin mars 2018, merr 2 mijë euro për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë 500 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji mars 2018 e deri në muajin janar 2023, në emër të shumës prej 5 mijë euro, vazhdon të paguajë nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë të pandehurit shumën prej 29 mijë euro.

Në total, i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 euro.

Kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguajë kamatat, i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguajë nga 200 euro kamata ditore me ç’ rast nga i dëmtuari më datë 22 gusht 2023, i pandehuri merr 12,800 (dymbëdhjetë mijë e dyqind) euro dhe arrestohet në flagrancë.

Me këto veprime sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale fajdeja.

Kurse gjatë mbajtjes së shqyrtimit fillestar,  i akuzuari Beqir Hoxha është deklaruar i pafajshëm për akuzën në fjalë.

Prokuroria gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të urdhërojë të akuzuarin që të paguajë shumë të barasvlefshme me dobinë pasurore të fituar me vepër penale dhe atë shumën prej 77 mijë e 500 euro. Në të kundërtën, gjykata të konfiskojë çdo pasuri tjetër të të akuzuarit me vlerë të barasvlefshme.

Prokuroria në aktakuzë si pasuri shtesë e të akuzuarit që është në dispozicion për t’u konfiskuar ka paraqitur konfiskimin e pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej 3.673m², e cila gjendet  në Prizren, në emër të të pandehurit, vetura “VW3C” në emër të të pandehurit, vetura “Mercedes benz 2012 E202 D” në emër të djalit të të pandehurit vetura “Volkseagen – VËWGolf”, në emër të djalit të të pandehurit vetura “Volksëagen VWWGolf”.

Raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.