Gjykimi per fajde

Aktakuza për përfitim të 78 mijë e 200 euro në emër të një fajdesë, deklarohet në gjykatë i akuzuari

Beqir Hoxha ka dalë para Gjykatës së Prizrenit për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë që po e ngarkon atë me fajde.

Sipas prokurorisë, Hoxha, duke përdorur situatën e vështirë financiare të të dëmtuarit dhe prindit të tij, pasi i duheshin të holla për të investuar në biznesin familjar, ka përfituar 78 mijë e 200 euro në emër të një fajde.

Pasi prokurori Petrit Kryeziu lexoi aktakuzën, i akuzuari Beqir Hoxha e deklaroi veten si të pafajshëm.

Gjykatësi i rastit, Artan Sejrani, ka udhëzuar Hoxhën dhe mbrojtësin e tij, Valdet Hoxhën, që brenda 30 ditëve t’i paraqesin gjykatës kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Në anën tjetër, avokati Valdet Hoxha ka kërkuar ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe mbrojtjen e klientit në liri, ose zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Ai argumentoi se hetimet janë përfunduar, gjykata ka filluar shqyrtimin , adresa e tij është e njohur, është familjar, do t’i përgjigjet drejtësisë në çdo ftesë të saj pasi është në interesin e tij që të zbardhet e vërteta.

“Ndaj të pandehurit – mbrojturit tim duhet të ndërprehet masa e paraburgimit si një nga masat më të rënda për sigurimin e të pandehurit në procedurë sepse hetimet kanë përfunduar, shqyrtimi gjyqësor ka filluar, adresa e tij është e njohur, është familjar dhe garanton se do t’i përgjigjet drejtësisë në çdo ftesë të saj sepse është në interesin e tij që të zbardhet e vërteta” – tha avokati Valdet Hoxha.

Megjithatë, prokurori Petrit Kryeziu ka kundërshtuar kërkesën për ndërprerjen e paraburgimit, duke theksuar se duhet të vazhdohet me këtë masë.

“Qëndroj pranë propozimit sikurse në akuzën që të pandehurit t’i vazhdohet paraburgimi me faktin se vazhdojnë arsyet e tilla për një masë. I pandehuri është në dijeni që prokuroria ka vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprën penale me dënueshmëri të lartë” – tha mes tjerash prokurori Kryeziu.

Vendimi për ndërprerjen e paraburgimit do të merret nga gjykata jashtë seancës.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të rënda, me datë 6 nëntor 2023, konformë dispozitave të procedurës penale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Beqir Hoxha sepse nga muaji qershor 2016 deri më datë 22 gusht 2023, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F. S., dhe prindit të tij tani i ndjerë.

Në atë mënyrë që pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për të investuar në biznesin individual familjar – zdrukthtari, fillimisht babai i të dëmtuarit në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri Beqir Hoxha, shumën e të hollave në vlerë prej 6,000 euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji qershor 2016 e deri në muajin prill të vitit 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, vazhdon të paguajë nga 600 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49 mijë e 200 euro (49,200).

I gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, i dëmtuari më 18 shkurt 2018,  merr nga i pandehuri shumën e të hollave prej 3 mijë euro ndërsa nga i njëjti në muajin mars 2018, merr 2 mijë euro për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë 500 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji mars 2018 e deri në muajin janar 2023, në emër të shumës prej 5 mijë euro, vazhdon të paguajë nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë të pandehurit shumën prej 29 mijë euro.

Në total, i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 euro.

Kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguajë kamatat, i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguajë nga 200 euro kamata ditore me ç’ rast nga i dëmtuari më datë 22 gusht 2023, i pandehuri merr 12,800 (dymbëdhjetë mijë e dyqind) euro dhe arrestohet në flagrancë.

Me këto veprime sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale fajdeja.

Prokuroria gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të urdhërojë të akuzuarin që të paguajë shumë të barasvlefshme me dobinë pasurore të fituar me vepër penale dhe atë shumën prej 77 mijë e 500 euro.

Në të kundërtën, gjykata të konfiskojë çdo pasuri tjetër të të akuzuarit me vlerë të barasvlefshme.

Prokuroria në aktakuzë si pasuri shtesë e të akuzuarit që është në dispozicion për t’u konfiskuar ka paraqitur konfiskimin e pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej 3.673m², e cila gjendet  në Prizren, në emër të të pandehurit, vetura “VË3C” në emër të të pandehurit, vetura “Mercedes benz 2012 E202 D” në emër të djalit të të pandehurit vetura “Volksweagen – VW Golf”, në emër të djalit të të pandehurit vetura “Volkswagen VË Golf”.