Aksioni i ATK-së në servisin e automjeteve

Kompanitë në Kosovë vazhdojnë t`i mbajnë punëtorët e paregjistruar duke shmangur pagesat e tatimeve.

Disa javë më parë në KALLXO.com janë pranuar informacione për një biznes në rajonin e Podujevës, i cili kishte punëtorë pa kontrata pune.

Në raportim, biznesi që punon si autoservis pretendohej se kishte disa punëtorë pa kontrata pune.

Dy inspektorë të ATK-së nisen në drejtim të biznesit për ta verifikuar informacionin.

Në biznes inspektorët zbulojnë parregullsitë e para, dy punëtorë konstatohen se janë duke punuar pa kontrata pune.

Sipas ligjit bizneset janë të obliguara që t`i regjistrojnë punëtorët dhe t`i paguajnë të gjitha kontributet edhe ato pensionale edhe tatimet ndaj shtetit.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mos deklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

Pjesë e kontrolleve tatimore janë edhe verifikimet e tjera të cilat synojnë të zbulojnë nëse biznesi i ka në rregull librat e shitjes dhe paguan me rregull tatimet.

Të dhëna e raportuara në KALLXO.com denonconin një biznes në rajonin e Podujevës ku punonjësit ishin duke punuar pa kontrata.

Pas verifikimeve informacionet dolën të jenë të sakta ndërsa biznesi do ndëshkohet nga ATK për parregullsitë e konstatuara.

Situata e Pandemisë dhe premtimet për ndihmë financiare nga Qeveria kishin bërë që raportimet e qytetarëve për punëtorë pa kontrata të rriteshin në numër.

Përgjatë këtyre katër muajve pandemi platforma KALLXO.com, kishte pranuar dhe trajtuar mbi 100 raportime se në kompani të ndryshme punëtorët po punonin pa kontrata.

Informacionet ishin bartur në Administratën Tatimore të Kosovës dhe pas verifikimeve ishin konstatuar se një numër i madh i tyre nuk ishin të regjistruar.

Deri më tani nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com, ATK ka shqiptuar mbi 110 mijë euro gjoba për bizneset vetëm gjatë vitit 2020.