Aksion në disa lokacione në Kosovë, qytetarë e zyrtarë dyshohen për mashtrim në detyrë e shmangie tatimi

Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë, janë duke zhvilluar një aksion që nga mëngjesi më disa lokacione në Kosovë.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ulaj tha se aksioni po zhvillohet mbi dyshimin e kryerjes së veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi” nga persona zyrtarë e qytetarë.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës, mbi dyshimin e kryerjes së veprave penale nga persona zyrtarë e qytetarë, më konkretisht dyshim mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi””- ka thënë Ulaj.

Ulaj tha se Prokuroria do të njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri.