Ilustrim

Në mesin e 15 të arrestuarve për fajde në Pejë, është edhe Driton Podrimqaku

15 persona janë arrestuar nga policia në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria e Pejës, departamenti për krime të rënda.

KALLXO.com mëson se në këtë rast bëhet fjalë për shuma të mëdha parash që janë dhënë e janë marrë me fajde.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Driton Podrimqaku.

Podrimqaku për të njëjtën vepër ishte arrestuar edhe vitin e kaluar.

Ai ishte në masën e arrestit shtëpiak siç mëson KALLXO.com për rastin e fajdeve i cili nisi pas një raportimi në KALLXO.com.

Rasti i sotëm i Prokurorisë Themelore në Pejë nuk është i njëjti me atë për të cilin ishte arrestuar Podrimqaku më parë.

Ky është një rast i ri në të cilin janë të përfshirë mijëra euro.

Kush është Driton Podrimqaku?

Vitin e kaluar një person i cili pretendonte se ishte viktimë e fajdesë u lajmërua në KALLXO.com dhe rrëfeu se si kishte marrë para me fajde ndërsa kamata ishte mjaftë e lartë.

KALLXO.com kishte siguruar viktimën se duhet të bashkëpunoj me autoritetet e drejtësisë në lidhje me gjithë ngjarjen.

KALLXO.con kishte kërkuar nga qytetari nga Peja, i cili kishte raportuar rastin, që të intervistohej edhe nga Prokuroria në mënyrë që të hetohej rasti i fajdesë, kamatën e së cilës qytetari nuk mund ta kthente për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

Prokurori Ersan Qavolli, i cili kishte marrë për ta trajtuar rastin, kishte treguar në detaje hetimin ndërsa në rast u përdorën edhe masat e fshehta për të zbuluar nëse pretendimet e qytetarit se ishte viktimë e fajdesë ishin të vërteta.

Pas mbledhjes së të gjitha dëshmive, sigurimin e vendit të ngjarjes, ku qytetari do të simulonte dhënien e kamatës ndaj Driton Podrimqakut, prokurori Qavolli së bashku me ekipin e KALLXO.com ishin nisur për të shikuar nga afër se cilat do të ishin veprimet e të dyshuarit.

Pasi ishin dorëzuar paratë te Driton Podrimqaku nga ana e viktimës së fajdesë, i njëjti ishte larguar nga vendi ku ishte kryer takimi dhe me një vozitje të rrezikshme është arratisur nga vendi i ngjarjes.

I njëjti madje kishte rrezikuar edhe jetën e një zyrtari policor pasi ky i fundit kishte tentuar të ndalonte arratisjen e Podrimqakut dhe i njëjti e e kishe sulmuar me veturë.

Menjëherë pas arratisjes prokurori kishte ndërmarrë masa urgjente.

Me urdhër të prokurorit Ersan Qavolli në atë kohe ishte vendosur që të bllokoheshin të gjitha rrugët e Pejës në mënyrë që të kapet dhe arrestohet i dyshuari i cili ishte person me rrezikshmëri të lartë.

Përveç veprimeve ku rrezikoi jetën e zyrtarëve policorë, i njëjti dyshohej se ishte i armatosur pasi që në data bazën e policisë figuronte se posedonte disa armë me leje.

Vetëm pak dite pas ai ishte arrestuar.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë për Podrimqakun për fajde, sulm ndaj personit zyrtar dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Podrimqaku në rastin e kaluar dyshohet se i kishte dhënë fajde qytetarit i cili raportoi rastin në KALLXO.com  një shumë prej 10 mijë eurosh ndërsa kamata mujore do të ishte 1 mijë euro shtesë. Për çdo vonesë kamata do të shtohej ndërsa qytetari pretendon se nga dhjetori nuk ka arritur që të siguroj paratë e kamatës pasi që nuk ka kushte ekonomike.

Madje qytetari tregoi në një intervistë për KALLXO.com se si shuma e kamatës që do të duhej t’i kthente Podrimqakut u rrit deri rreth 60 mijë euro e madje i dyshuari i kërkonte edhe para shtesë kinse për një shok të tijin prej ku i kishte marrë paratë që t’ia jepte me fajde pejanit.