Prizren, arrestohet i dyshuari i pestë në rastin e fajdeve
Prokuroria e Prizrenit ka bërë të ditur se është arrestuar personi i pestë i dyshuar për fajde, në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri në Vërmicë.
Personi i arrestuar është pjesë e grupit të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë të datës 22 dhjetor 2021.
Siç thuhet në njoftim, arrestimi i të njëjtit vjen pas një pune hetimore gjashtë mujore, të Prokurorisë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës –Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren.
“Si rrjedhojë e këtij operacioni, janë bastisur 8 lokacione dhe janë sekuestruar para, vetura, armë, telefona, laptop, kompjuterë, kontrata, regjistra të ndryshme dhe marrëveshje të nënshkruara mes të pandehurve dhe viktimave”, njofton Prokuroria.
Sipas njoftimit, personi i arrestuar dyshohet se ka vepruar me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimave të fajdesë nga të cilët ka shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare, papërvojën e tyre dhe të njëjtëve u ka ofruar shuma të të hollave në formë të borxhit të cilët më pas i ngarkojnë me kamata të larta dhe të pa përballueshme.
I njëjti është arrestuar në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.
“Me aktvendim të prokurorit, i pandehuri është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor për të njëjtin do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë.
KALLXO.com kishte raportuar se në aksionin e Prokurorisë në Prizren në së paku gjashtë lokacione, kishin asistuar edhe Njësitë Speciale të Policisë. Katër të dyshuarve u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
KALLXO.com kishte mësuar se shuma e kamatës për fajde nga grupi i të dyshuarve shkoi deri në 20 mijë euro.