Foto: Komuna e Mitrovicës së Veriut

Aksion i Inspektoratit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, gjen mallra me afat të skaduar e mangësi higjienike

Inspektorati i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ai sanitar kanë vërejtur parregullsi si mallra me afat të skaduar, pije e duhan pa pulla akcize, mungesë njoftimi për ndalimin e shitjes nën 18-vjeç si dhe mangësi higjienike.

Sipas njoftimit të Komunës, mallrat janë konfiskuar dhe asgjësuar sot, më 21.08.2025, ndërsa pronarëve u janë dhënë afate të shkurta për korrigjim.

“Gjatë kontrolleve të fundit në Mitrovicën Veriore janë përfshirë dyqane të mallrave të përziera, byrektore, objekte wellness e spa dhe dyqane pajisjesh funerale. Inspektorati komunal dhe ai sanitar veprojnë të koordinuar për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe respektimin e ligjit”- thuhet në komunikatë.

Komunarët thonë se këto veprime janë garanci sigurie për fëmijët, të moshuarit, pacientët kronikë dhe personat me nevoja të veçanta. Teksa qëllimi, sipas tyre, është vendosja e rregullit dhe krijimi i një ambienti të sigurt.

“Objektet do të hapen vetëm pas përmbushjes së normave ligjore ose do të mbeten nën monitorim”- përfundojnë nga Inspektorati.

Foto: Komuna e Mitrovicës së Veriut

Më 4 gusht, KALLXO.com ka raportuar se në Mitrovicë të Veriut është mbyllur përkohësisht një klinikë private me licencë.

Kështu kishte bërë të ditur Komuna e Mitrovicës së Veriut ndërsa kishte njoftuar se gjatë kontrollit janë evidentuar dhe larguar pothuajse 30 produkte mjekësore me afat të skaduar.

Në Mitrovicë të Veriut, më 31.07.2025, ishin mbyllur përkohësisht disa lokale të gastronomisë, ordinanca dentare, ambulanca gjinekologjike dhe poliklinika të paregjistruara.