Aksidentohet automjeti i KFF Jakova, lëndohen dy futbolliste dhe trajneri

Automjeti i Klubit Futbollistik për femra ‘Jakova’ është aksidentuar mbrëmë në afërsi të Junikut.

Si pasojë, dy futbolliste dhe trajneri i skuadrës së senioreve, janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës përmes një komunikate teksa ka njoftuar se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

Ndërsa, thuhet se pjesa tjetër e futbollisteve pas trajnimit mjekësor, janë liruar për në shtëpi.

Sipas njoftimit, ekipi ka qenë duke u kthyer nga një aktivitet nga Shqipëria kur është rrokullisur në afërsi të Junikut.

“Federata e Futbollit e Kosovës shpreh keqardhje për këtë aksident dhe shpreh gatishmërinë për t’i qëndruar afër KFF Jakova dhe futbollisteve të këtij klubi për ta kaluar sa më parë këtë moment traume dhe lëndimet e pësuara nga ky aksident”- thuhet në komunikatë.

Tutje FFK u ka uruar shërim sa më shpejt nga lëndimet e pësuara dhe t’i rikthehen punës në fushën e gjelbër, duke shpresuar që raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.