AKA përfundon vlerësimin e institucioneve, fillon me vlerësimin e 240 programeve

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka filluar me procesin e vlerësimit në distancë të 240 programeve akademike të institucioneve të arsimit të lartë.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, drejtori i kësaj agjenice, Naim Gashi, i cili tha se ky proces ka filluar pasi ka përfunduar vlerësimi institucional i Institucioneve të Arsimit të Lartë.

“Agjencia e Kosovës për Akreditim ka përfunduar me sukses procesin e vlerësimit institucional, ndërsa sot, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, nisëm me sukses procesin e vlerësimit të 240 programeve akademike, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë”, tha Gashi.

Tutje ai tha se Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka miratuar listën e ekspertëve ndërkombëtarë që po marrin pjesë në procesin e vlerësimit për akreditimin e institucioneve dhe programeve.

“Ekziston vendimmarrja e KShC-së për të gjitha aplikacionet, një pjesë e të cilave janë aprovuar, ndërsa një numër prej tyre janë refuzuar për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe sivjet procesi i akreditimit po zhvillohet në distancë”, është përgjigjur Gashi për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se AKA ka marrë vlerësim shumë pozitiv nga institucionet vendore, organizatat e shoqërisë civile, donatorët ndërkombëtarë dhe organizatat ndërkombëtare për menaxhimin me sukses të procesit të akreditimit në kohë pandemie.

“Edhe pse me personel shumë të kufizuar, unë shpresoj që pas disa vitesh, për herë të parë, me rastin e fillimit të vitit të ardhshëm akademik, do të përfundojë i gjithë procesi i akreditimit dhe asnjë aplikacion për akreditim nuk do të shtyhet për vitin e ardhshëm”, tha në fund ai.

Aktualisht, Këshilli Shtetëror i Cilësisë është jofunksional pasi që kanë dhënë dorëheqje 5 anëtarë.

Ndërsa, AKA-ja javën e kaluar ka njoftuar institucionet e arsimit të lartë se pavarësisht kësaj procesi i vlerësimit të akreditimit institucional dhe të programeve akademike do të vazhdojë.

“Dorëheqjet e fundit nga KShC-ja, në fazën aktuale, nuk kanë ndikim të mbarëvajtjen e punëve të Agjencisë së Akreditim”, është bërë e ditur nga AKA.

Në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, Neni 10 i cili flet për ‘Procedurat e akreditimit/riakreditimit’, pika 1.5.1. thotë se “AKA organizon procesin e vlerësimit të jashtëm me një ekip të pavarur të vlerësuesve ndërkombëtarë.  Ky ekip harton një raport të jashtëm të vlerësimit, i cili ofron një vlerësim të cilësisë së institucionit aplikues apo programeve të tij të studimit bazuar në standardet dhe udhëzuesit për akreditim. Ky raport i cili i dorëzohet AKA-së, ofron rekomandime për përmirësimin e cilësisë për IAL-në nën vlerësim si dhe përfshin rekomandimin final për riakreditim apo mosakreditim”.

Kurse, Në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pikën 3 thuhet se “Riakreditimi i bartësve kryhet nga AKA-ja në intervale kohe prej jo më shumë se 5 vjetësh.  Riakreditimi nuk bëhet pa një shqyrtim të raportit të vetëvlerësimit të bartësit, nga ana e ekspertëve, përveç në rrethana të veçanta. Ky rishikim nga ana e ekspertëve do të përfshijë një inspektim të drejtpërdrejtë të ofrimit të shërbimeve. Riakreditimin e një institucioni apo të një ose më shumë programeve të tij mund ta kërkojnë bordi i AKA-së ose Ministria brenda një periudhe më të shkurtër se pesë vjet”.

Tutje udhëzimi thotë se KShC pastaj duhet të vlerësojë raportin e vlerësimit të jashtëm dhe ta votojë atë.