AIP publikon udhëzuesin për përdorimin e të dhënave personale për marketing të drejtpërdrejtë

Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë ka publikuar udhëzuesin për ‘Përpunimin e të dhënave personale për qëllim të marketingut të drejtpërdrejtë’.

Sipas këtij udhëzuesi ata që dëshirojnë të përpunojnë të dhënat personale për qëllim të marketingut duhet t’u përmbahen obligimeve të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave.

Kjo do të thotë se të gjithë subjektet e interesuara për marketing nuk duhet të dërgojnë materiale promovuese në numrin e telefonit apo edhe e-mailit pa pëlqim nga pala tjetër.

“Andaj, parimisht kontrolluesit nuk duhet të dërgojë materiale promovuese përmes kanaleve të komunikimit pa marrë pëlqim paraprak të shprehur nga subjekti i të dhënave edhe nëse të dhënat personale janë marrë nga burimet publike. Për më shumë është e rëndësishme të theksohet se kontrolluesit nuk mund t’u dërgojnë e-mail apo mesazhe individëve për të kërkuar pëlqim për marketing të drejtpërdrejtë në të ardhmen. Vetë e-maili apo mesazhi që kërkon pëlqimin konsiderohet si mesazh për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë andaj i nënshtrohet rregullave të njëjta të marrjes së pëlqimit”, thuhet në udhëzim.

“Pëlqim gojor ose pëlqim tjetër i përshtatshëm i subjektit të të dhënave. Subjekti i të dhënave personale mund të japë pëlqimin për përpunimin e të dhënave të tij/saj “gojarisht, me anë të mjeteve të telekomunikimit ose me ndonjë mjet tjetër të përshtatshëm, përmes të cilit mund të konkludohet në mënyrë të qartë se subjekti i të dhënave e ka dhënë pëlqimin e tij ose saj”, theksohet në udhëzim.

Ndërkaq për mosrespektim të neneve të këtij udhëzimi dënimet janë nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.

KËTU mund të lexoni udhëzimin administrativ nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.