Kamera e sigurisë, Foto: Freepik
Instalimi i kamerave në kryeqytet, pse u kritikua e çfarë thanë komuna, policia e AIP
Njoftimi për instalim të kamerave të sigurisë në kryeqytet ka nxitur reagime të ndryshme tek qytetarët të cilët nuk e kishin shumë të qartë se sa do mund t’u cenohet privatësia në rast se kamerat janë me inteligjencë të lartë e matje biometrike.
Lidhur me këto shqetësime, Agjencia për Informim dhe Privatësi si dhe Komuna e Prishtinës nuk janë përgjigjur në kërkesën e Kallxo.com të dërguar më 4 janar, derisa më 11 janar dolën me sqarim publik për mënyrën si do vendosen e monitorohen.
Komuna e Prishtinës ka më shumë se dy vite që planifikon të instalojë kamera të sigurisë në kryeqytet për të evidentuar shkelje në trafik, vjedhje e krijimin e deponive në hapësira publike.
Pas bartjes nga një vit buxhetor në tjetrin, komuna në dhjetor 2023 nënshkroi kontratë në vlerë 1.3 milionë euro për instalim të kamerave në hapësira publike në kryeqytet.
Çfarë e nxiti reagimin qytetar për këto kamera?
Ishte njoftimi nga ana e kryetarit Përparim Rama më 3 janar se këto kamera janë me inteligjencë të lartë artificiale që nxiti reagime e huti tek shumë qytetarë, pasi nuk e kishin të qartë se çfarë do vëzhgohet nga kamera të këtij lloji.
“Këto kamera kanë një inteligjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, të cilat do t’na ndihmojnë që përmes policisë, të bëjmë identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet”- kishte shkruar Rama.
Derisa, në njoftim është potencuar se këto kamera do monitorohen nga Policia e Kosovës.
Qytetarët nëpër rrjete sociale konsideruan se me këtë lloj të kamerave mund të identifikohen edhe fytyrat e elementet biometrike më lehtë, duke e konsideruar si shkelje direkte të privatësisë.
Për këtë reagoi edhe ish kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, sipas të cilit, kryeqyteti nuk ka nevojë për kamera të tilla dhe se ai nuk do donte të vëzhgohej në qytetin e tij.
“Në vitin 2012 edhe unë dhe bashkëpunëtorët e mi punonim të instalonim kamera në vendet më të frekuentuara të Prishtinës dhe në udhëkryqe. Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm. Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua m`u duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë”- ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.
Mustafa theksoi se instalimi i tillë i kamerave, me të cilat mbikëqyret çdo lëvizje, do mund t’u krijonte probleme qytetarëve, pa asnjë faj.
“Unë me shkopin tim, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem nga kamerat, sepse shkopin e mbaj për arsye shëndetësore e jo që ta cenoj askënd”- ka shtuar tutje Mustafa.
Çfarë deklaroi komuna e policia për mënyrën e vendosjes e monitorimit?
Më 11 janar Komuna e Prishtinës përmes një sqarimi bëri të ditur se kërkesa për vendosje të kamerave të sigurisë ka ardhur nga Policia e Kosovës, e cila edhe ka të drejtën për instalim e monitorim të tyre.
“Kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave brenda hapësirave publike në Kryeqytet, që ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, identifikimin, gjetjen dhe kapjen e kryerësve te veprave penale, si dhe arritjen e objektivave tjera të ligjshme policore, është bërë nga Policia e Kosovës, drejtuar Kryeqytetit- Prishtinë”- thuhet në sqarim.
Komuna po ashtu siguroi qytetarët se më këto kamera nuk ka përpunimin të karakteristikave biometrike.
“Sistemi i regjistrimit të të dhënave, që do të bëhet nga këto kamera do të krijojë mundësinë e vlerësimeve statistikore, pa përfshirë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës mbi bazën e autorizimeve ligjore të saj”- theksoi më tej komuna.
Derisa, me qëllim që të mos ketë shkelje të drejtave të privatësisë në këtë projekt, zyrtarë të komunës dhe policisë ishin takuar edhe me Krenare Sogojeva- Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Kurse, Policia e Kosovës në një deklarim për Kallxo.com arsyetoi ndihmën që kanë si institucion nga këto kamera.
“Ka disa raste që kamerat kanë ndihmuar në zbardhjen e rasteve dhe identifikimin kryerësve të kundërvajtjeve e veprave të ndryshme penale, ku incizimet kanë ndihmuar në punën e Policisë, andaj shtimi i kamerave në qytete ndihmon punën e Policisë”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas policisë, vendosja e kamerave dhe funksionimi i tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit, e në veçanti në lokacione kyçe si në udhëkryqe dhe hyrje-dalje, ‘do të kishte ndikuar në mënyrë pozitive në parandalimin, identifikimin dhe mundësinë e zbardhjes së rasteve të çfarëdo natyre qofshin ato’.
Arsyetimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP)
Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk është përgjigjur në kërkesën e Kallxo.com lidhur me këto kamera të dërguar më 4 janar, derisa më 11 janar kishte dal me një sqarim publik për mënyrën si do vendosen e monitorohen këto kamera.
“Projekti me specifikat teknike është përgatitur nga Grupi Punues në përbërje të anëtarëve nga Policia e Kosovës dhe Kryeqytetit. Monitorimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë do ta bëjë Policia e Kosovës dhe po ashtu infrastruktura teknike e pajisjeve, ruajtja dhe mbikëqyrja do të sigurohen nga Policia e Kosovës”- thuhet në njoftim.
AIP tutje theksoi se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës Agjencia për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva- Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Basri Shabani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale në Prishtinë – Policia e Kosovës dhe Lulzim Fushtica, Drejtor për Siguri dhe Emergjenca i Kryeqytetit të Kosovës-Prishtinë, Prishtina janë zotuar se do të sigurojnë që zbatimi i projekti do të realizohet në harmoni të plotë me legjislacionin përkatës në fuqi.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka siguruar qytetarët se bazuar në mandatin ligjor do të bëjë monitorimin e zbatimit të këtij projekti për të siguruar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duke përshirë edhe inspektimin e realizimit të projektit.