AGK: Sulmohet fizikisht kameramani i mediumit ‘Nacionale’
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se kameramani i mediumit Nacionale, Arbër Latifi, është sulmuar fizikisht sot në afërsi të Spitalit në Gjakovë, nga sigurimi i këtij spitali.
Në komunikatë bëhet e ditur se tashmë është arrestuar i dyshuari.
Sipas AGK-së, kameramani Latifi së bashku me gazetaren, Gentiana Hasani, kishin shkuar në Spitalin e Gjakovës për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve që ishte bërë me arsyetimin e temperaturave të larta.
Po ashtu, AGK ka bërë të ditur se kameramani ka marrë ndihmë mjekësore dhe gjithashtu ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet tejet i shqetësuar me sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales, dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet rastin” – thuhet në komunikatë.