AGK: Kameramani i RTK-së pësoi lëndime të rënda nga sulmi në Leposaviq

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar pas sulmit fizik që ka pësuar kameramani i RTK-së gjatë punës në Leposaviq, për të cilin thonë se ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup.

AGK i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

Gjithashtu AGK-ja, dënon ashpër këtë sulm, duke shtuar se të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Po ashtu shtonjnë se në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup” – ka cituar AGK.