AGK dënon sulmin ndaj ekipit të Kallxo.com në Mitrovicën e Veriut

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka dënuar sulmin ndaj ekipit të Kallxo.com në veri të vendit.

AGK janë shprehur të shqetësuar lidhur me sigurinë e gazetarëve pas këtij sulmi.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për sigurinë e gazetarëve, pas sulmit këtë mëngjes të një ekipi të Kallxo.com në veri të Mitrovicës”- thuhet nga AGK.

Vetura në të cilin po udhëtonin gazetarja, Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu u sulmua nga një grup i maskuar i serbëve, në afërsi të Shkollës Teknike.

AGK ka kërkuar nga policia që të ofrojë kushtet e duhura për gazetarët.

“AGK-ja e dënon fuqishëm sulmin, dhe kërkon sërish nga Policia e Kosovës që të kujdeset për të ofruar kushtet e duhura të sigurisë për raportimin e gazetarëve nga kjo pjesë e vendit”- thuhet më tej nga AGK.

Ekipi i cili po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut është sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit.

Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.

Në pamjet që janë kapur shihet personi duke vrapuar në drejtim të veturës, e që i njëjti edhe ka goditur automjetin.

Sulmohet ekipi i Kallxo.com në Mitrovicën Veriore (Pamje)