"Agjëroni deri në vdekje", gjenden 39 të vdekur në tokën e një pastori në Keni

Tridhjetë e nëntë trupa janë gjetur deri më tani në tokën në pronësi të një pastori në Kenian bregdetare, i cili u arrestua pasi u tha ndjekësve të tij të agjëronin deri në vdekje.

Shefi i policisë së nënqarkut Malindi, John Kemboi, tha se më shumë varre  nuk janë gërmuar ende në tokën që i përket pastorit Paul Makenzi, i cili u arrestua më 14 prill për lidhje me kultin.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve është 43, sepse katër persona të tjerë vdiqën pasi ata dhe të tjerët u zbuluan në gjendje urie në ‘Good News International Church’ (Kishën Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë) javën e kaluar.

Policia i ka kërkuar gjykatës që t’i lejojë ata ta mbajnë më gjatë Makenzin ndërkohë që hetimet për vdekjen e ndjekësve të tij vazhdojnë.

Një informatë bëri të mundur që policia ta bastiste pronën e pastorit në Malindi, ku u gjetën 15 njerëz në gjendje të dobët fizike, përfshirë katër prej tyre që vdiqën më vonë. Ndjekësit thanë se po vdisnin nga uria sipas udhëzimeve të pastorit për ta takuar Jezusin.

Policisë i ishte thënë se kishte dhjetëra varre të cekëta të hapura nëpër fermën e Makenzit dhe gërmimi ka filluar të premten.

Makenzi ka qenë në grevë urie për katër ditët e fundit teksa ndodhet në paraburgim.

Pastori është arrestuar dy herë më parë, në vitin 2019 dhe në mars të këtij viti, në lidhje me vdekjen e fëmijëve. Çdo herë ai u lirua me garanci dhe të dyja rastet janë ende në proces gjyqësor.

Politikanët vendas i kanë kërkuar gjykatës të mos e lirojë këtë herë, duke e dënuar përhapjen e kulteve në zonën e Malindit.

Kultet janë të zakonshme në Kenia, e cila ka një shoqëri kryesisht fetare./Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala