Foto: Video/BBC

Urdhërohet të largohet nga parlamenti pasi kishte marrë fëmijën 5 muajsh me vete (VIDEO)

Deputetja keniane, Zuleika Hassan u urdhërua që të largohej nga salla e Kuvendit pasi kishte marrë me vete fëmijën e saj 5 muajsh, raporton BBC.

Deputetet femra janë larguar nga Kuvendi i Kenias në shenjë solidariteti me kolegen e tyre.

Zuleika Hassan tha që ajo e kishte sjellë me vete fëmijën e saj 5 muajsh për të punuar për shkak të një emergjence shtëpiake dhe se parlamenti nuk ka një çerdhe për fëmijë

Sipas rregullave të Kuvendit, “të huajt” nuk lejohen në dhomë, duke përfshirë edhe fëmijët.

Disa nga kolegët e saj meshkuj i përshkruanin veprimet e saj si të turpshme.

Kryetari  i Kuvendit kenias, Christopher Omulele e urdhëroi deputeten Hassan të largohej nga salla dhe tha se ajo mund të kthehej pa foshnjën.

Disa deputetë bërtisnin dhe të tjerë filluan të shajnë njëri-tjetrin.

Deputetja Hassan i bëri thirrje parlamentit të krijojë një “atmosferë më miqësore për familjen” nëse dëshiron që sa më shumë gra të bëhen deputete.

“Jam përpjekur vërtet shumë për të mos ardhur me fëmijën, por sot pata një urgjencë, çfarë duhet të bëja? Nëse parlamenti do të kishte një çerdhe, unë do të kisha mundësi ta lija fëmijën tim aty”, tha ajo.