Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Agjencia e Statistikave të Kosovës fillon fushatën sensibilizuese për regjistrimin e popullsisë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është e përgatitur për të filluar regjistrimin e popullsisë në datën e caktuar më 05.04.2024.
Kështu tha ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të ASK-së, Avni Kastrati sot më 03.08.2024 në hapjen e fushatës sensibilizuese për regjistrimin e popullsisë, i cili dha detaje për procesin. Për këtë fushatë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 120 mijë euro.
Kastrati tha qytetarët do të mund ta shohin pyetësorin së shpejti online dhe se intervista do të zgjasë rreth 30-40 minuta.
“Kemi implementuar rekomandimet botërore për regjistrimin e popullsisë. ASK është e gatshme me shku në regjistrimin e popullsisë. Ka pas shumë sfida por na ka mbet faza kryesore e grumbullimit të të dhënave në terren” – tha ai.
Të dhënat preliminare të regjistrimit, do të publikohen 3 muaj pas regjistrimit në terren, ndërsa ato finale 9 muaj pas, siç tha u.d. Kryeshefi. Nga ky regjistrim pritet të publikohen 22 raporte tematike.
Pritjet e ASK-së janë që popullsia rezidente do të jetë më e vogël se në vitin 2011, kur është bërë regjistrimi i fundit, i cili kishte rezultuar me 1.8 milionë banorë, pa përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
“Kemi mbajtë takime me mbi 200 institucione dhe kemi implementu rekomandimet ndërkombëtare dhe ka konsistencë në lidhje me regjistrimin e kaluar por kemi shtuar edhe pyetje tjera. Përgatitjet e para kanë fillu që nga viti 2019” – shtoi Kastrati.
Udhëheqësi i ASK-së tha se kanë bërë një pilot dhe tri teste për qëllime specifike, të cilat kanë përmirësu projektin e regjistrimit, prandaj nuk presin të kenë sfida.
Objekte të regjistrimit janë e gjithë popullsia të jeton në Kosovë, ekonomitë familjare dhe po ashtu të gjitha shtëpitë, banesat e objektet e tjera.
Për shkak të interesit nacional, ASK do të regjistrojë edhe diasporën ndaras, si popullsi jorezidente.
Në këtë proces janë të angazhuar 3 mijë e 536 regjistrues në terren, ku përfshihen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë e 891 mbikëqyrës.
Sipas menaxherit të këtij projekti, Yll Shala trajnimet për stafin kanë filluar nga shkurti e do të vazhdojnë deri më 29.03.2024.
“Nga 30 mars deri më 3 prill regjistruesit lënë letra njoftuese për popullsinë e më 5 prill fillon regjistrimi” – tha Shala.
Grumbullimi i të dhënave do të bëhet në mënyrë digjitale, përmes 3500 tabletëve, sipas Burim Limollit, udhëheqës i divizionit të IT-së
“Pas grumbullimit të të dhënave nga regjistruesi, mbikëqyrësi vendos a pranohet intervista e pastaj vijnë të dhënat në ASK” – tha ai.
Limolli shtoi se i kanë kushtuar rëndësi sigurisë bashkë me institucionet relevante dhe në rast të dëmtimit apo humbjes së pajisjes, të dhënat ruhen në sistemin e ASK-së.
Regjistrimi parashihet të bëhet në rreth 650 mijë ndërtesa.
“Do të publikohet edhe atlasi i popullsisë. Të dhënat do i dërgojmë në Eurostat sic kemi bërë edhe më 2011” – tha Idriz Shala nga ASK.
ASK ka organizuar edhe një lojë shpërblyese në vlerë prej rreth 10 mijë eurosh, për atë që qëllon numrin e saktë të popullsisë rezidente. Kastarati tha se kusht është që ai apo ajo që e qëllon shifrën duhet të jetë edhe vetë i regjistruar.
Procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë më 05.04.2024 dhe do të zgjasë deri më 17.05.2024.
Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullsisë që bëhet nga Agjencia e Statistikave në Kosovës (ASK).
Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.
Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore nga 01.09.2023 deri më 16.10.2023.
Vendimi i radhës, më 23.08.2023, parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 01.11.2023 deri më 15.10.2023.
Kryeministri Kurti kishte thënë se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 01.09.2023.
Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 01.11.2023.
I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shty të mbahet nga data 05.04.2024 deri më 17.05.2024.