Abrashi: Edhe sot isha pro koalicionit me partinë me 29 deputetë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashi, ka demantuar raportimet e disa mediave në Kosovë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së partisë, anëtarët e kanë kundërshtuar koalicionin me LVV-në.

“Edhe sot isha pro koalicionit me partinë me 29 deputetë. Kërkova të afatizohet dhe të mos shtyhet më shumë arritja e marrëveshjes. LDK-së sikur në fillim edhe tash duhet t’i takojnë Presidenti, Krye parlamentari dhe pesë ministri”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Tutje Abrashi, duke iu referuar video-publikimeve të kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit, ka thënë se koalicioni ndërtohet me ‘mirëbesim dhe mirëkuptim’.

“Është koha për ndërtimin e Qeverisë. Partneriteti ndërtohet me mirëbesim e mirëkuptim, e jo përmes video prezantimeve, e nënçmimit të partnerit të vetëm serioz. Mos ia humbni shpresën vendit”, ka shkruar tutje ai.

Sot LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë dhe të grupit parlamentar, ku janë dakorduar për vazhdimin e bisedimeve më LVV-në.

Ndërsa kryetari i LVV-së Albin Kurti pak para takimit me presidentin ka publikuar një video ku ka bërë të ditur kabinetin e tij qeveritar, duke kërkuar nga LDK-ja që edhe ajo t’i prezantojë emrat e kabinetit të saj.

Albin Kurti prezanton ministrat e vet (VIDEO)