Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi: Sanksionet nuk do të ndalin Rusinë

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka thënë se në analizën e fenomenit të sanksioneve konsideron që janë jo të efektshme sa i përket largimit të presidentit rus nga objektivat e tij.

“Sigurisht që kjo prej pozicionit tim si kryetar i komisionit mund të analizohet në nivelin institucional por nëse mund të lëviz për pak në analizën e fenomenit të sanksioneve unë konsideroj që kjo është absolutisht jo e efektshme drejt largimit prej objektivave që ka presidenti Putin dhe grupi e tij e njerëzve, elita ruse që mendon të bëj realizimin e këtyre objektivave”, ka thënë Abazi në emisionin “Kallxo Përnime” ku po debatohet për luftën Rusi-Ukrainë dhe reflektimin e saj në Kosovë.

Abazi tha se kjo ndodh jo për faktin që nuk do ta dëmtojë Rusinë por për faktin që efekti i tyre nuk mund ta zhvendosë Vladimir Putinin nga objektivat.

Ai tha se sanksionet janë treguar kontraproduktive në planin afatgjatë për disa arsye.

“Jo për faktin që nuk do ta dëmtojë por për faktin që efekti i tyre nuk mund ta zhvendosë nga objektivat përkundrazi sanksionet janë treguar kontraproduktive në afatgjatë sepse e dëmton një shtresë të popullatës, largon prej tregut legal të ekonomisë globale aktivitetet por i vonon në funksion mekanizmat tjerë, qofshin ato të kontrabandës, përfitimeve ilegale apo zëvendësimit apo përkrahjes nga Kina që unë mendoj që ky do të jetë hapi i ardhshëm i një tentimi të krijimit të bllokut financiar ekonomik në tregjet që po paraqiten si të reja edhe për gazin edhe të tjera”, tha Abazi.