Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi: Albin Kurti më priti me një dosje për mua, të shkruar nga Dejona Mihali

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, i cili u shkarkua nga Komisioni i Punëve të Jashtme, nga partia e tij Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ndaj tij është bërë luftë speciale që disa vite.

Abazi, ka thënë se në bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ky i fundit ia ka prezantuar një dosje e shkruar sipas tij nga Dejona Mihali, me kritika ndaj tij.

Abazi ka thënë se edhe Mimoza Kusari-Lila ka shkruar kritika për të në atë dosje.

“Kjo më është thënë më vonë nga Kurti, kur kemi bisedu për problemet, dhe dosjen që e ka nxjerrë, dosjen e krijuar nga Dejona Mihali… Nuk e kam parë në tërësi, por në pjesë e tyre thotë që nuk ke qenë këtu për me votu buxhetin, kam qenë në Amerikë, dhe trillimet e pafundme që zonja Kusari ka shkru dhe jo vetëm për mu” – ka thënë ai.

Deputeti Abazi, ka dhënë detaje për përmbajtjen e dosjes, ai ka thënë se aty është përmendur një debat që e ka pasur me deputetin Armend Muja, gjatë një vizite në Tiranë.

“Një diskutim kot me Armend Mujën në vizitën e kryetarëve të komisioneve ne Tiranë. Në drekë punë ndodhi një situatë e akullt e mosrespektimit të protokollit. Me përvojën time ndërhyra që akulli të shkrihet, kjo ishte ndërmjet zonjës Mimi Kodheli dhe Armend Mujës”, ka thënë ai.

“Kjo është bërë pjesë e dosjes. Muja e merr fjalën pa ju dhënë fjala, Kodheli po e bënte udhëheqjen e takimit dhe kërkoi me mirësi nga ai që të mos vazhdojë sepse nuk ishte radha e tij.  Aty për aty u krijua tension dhe ngrirje e bisedës. Unë thash që tradita në Kosovë është që shtëpia është e Zotit dhe mysafirit, Muja mori fjalën duke e konsideru veten edhe si mysafir në Shqipëri. Kjo hyri në dosjen e Kurtit”, ka vijuar ai.

Ai ka deklaruar se edhe emërimi si kryetar i Komisionit ka qenë nga frika se mos nuk do të e votonte për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai tha se asnjëherë nuk do ta dërgonte vendin në zgjedhje dhe se pretendimet e Kurtit nuk janë të vërteta./Dukagjini